Dy të mitur largohen nga Qendra e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, policia në kërkim

Një ngjarje e dyshimtë është regjistruar në kryeqytet, ku dy të mitur janë larguar nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit.

Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e tyre dhe masat mbrojtëse në këtë institucion.

Largimi i të miturve është raportuar nga një punonjëse e qendrës, shtetasja E. K., e cila ka bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë Nr. 4. Sipas dëshmisë së saj, të miturit janë larguar në rrethana ende të paqarta.

Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, e cila ndodhet në zonën e Linzës, funksionon si një institucion i administruar nga Shërbimi Social Shtetëror dhe ka për qëllim strehimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit.

Policia ka nisur kërkimet për lokalizimin e të miturve dhe është duke verifikuar rrethanat e largimit të tyre. Burime nga uniformat blu bëjnë me dije se po shqyrtohen pamjet e kamerave të sigurisë si dhe po merren në pyetje persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen.

Ky rast ka ngritur pikëpyetje mbi nivelin e mbikëqyrjes dhe sigurisë në institucionet e përkujdesit shoqëror. Ndërkohë, ekspertët e fushës bëjnë thirrje për një kontroll më të rreptë të masave të sigurisë për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

Materialet procedurale janë dorëzuar në Prokurori, e cila do të vijojë hetimet për të zbuluar shkaqet dhe përgjegjësitë e mundshme lidhur me këtë ngjarje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin: