Dy shkolla, një emër: “Shkolla e Bashkuar Fier-Shegan!”

Nga: Ndriçim Gjoshi

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Lushnjës gjatë muajit gusht, u miratua me unanimitet një vendim i rëndësishëm për komunitetin arsimor të Fier-Sheganit: dy shkollat ekzistuese në këtë qendër administrative do të unifikohen nën një emër të përbashkët – “Shkolla e Bashkuar Fier-Shegan”

Kamera e televizionit Apollon vizitoi ambientet e shkollës dhe zhvilloi një intervistë me drejtorin Flori Gorovelli i cili u shpreh pozitivisht për këtë hap, duke e cilësuar si një moment të ri bashkimi dhe energjie të përbashkët për nxënësit, mësuesit dhe komunitetin në tërësi.

Ky vendim sjell një frymë të re bashkëpunimi dhe zhvillimi. Tashmë shkolla jonë ka një identitet të unifikuar që do ta forcojë më tej rolin e saj në edukimin e brezit të ri, u shpreh Gorovelli.

Aktualisht, “Shkolla e Bashkuar Fier-Shegan” është gati për të nisur vitin e ri shkollor më 8 shtator. Dyert janë hapur për shpërndarjen e librave për nxënësit e arsimit 9-vjeçar dhe të klasave të 10-ta, ndërsa infrastruktura është përgatitur për të ofruar kushte optimale për zhvillimin e procesit mësimor.

Në fund të intervistës, drejtori Gorovelli dha një mesazh të qartë ,

Uroj një vit të mbarë shkollor për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Së bashku, me përkushtim dhe bashkëpunim, do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.

Ndaj Postimin: