Kabaja Myzeqare, perla e Myzeqesë!
Dyshja Myzeqare, homazh i gjallë i trashëgimisë së një treve!
Në çdo skaj të Shqipërisë, Myzeqeja përfaqësohet krenarisht me dy gurë të çmuar të identitetit të saj kulturor: Kabanë Myzeqare dhe Dyshjen Myzeqare.
Dyshja Myzeqare, një valle unike në llojin e saj, e cila dallohet sepse njëri valltar nis me këmbën e djathtë dhe tjetri me të majtën, mbetet simbol i harmonisë, finesës dhe shpirtit autentik popullor. Ajo është një pasqyrim i bashkimit, i ndjesisë së përkatësisë dhe i ritmit që lidh brezat.
Ndërsa Kabaja Myzeqare, e skalitur në pentagram nga mjeshtri Stavri Zaka mbi tekstin e Armand Rrudhës, mbart një thellësi emocionale që zgjon kujtesën dhe krenarinë myzeqare. Kjo këngë, nën interpretimin e fuqishëm të dy zërave të dalluar, Gëzim Xhaxhaj dhe Servet Jeshili, është më shumë se një krijim artistik, është një thirrje e dhembshme e rrënjëve, një lutje që shpaloset ndër tinguj e kujtime.
Këto dy forma artistike, jo vetëm që janë përfaqësuese të denja në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare, por mbeten edhe themel i trashëgimisë shpirtërore të Myzeqesë, e cila përcillet nga brezi në brez me dinjitet dhe dashuri.
Kur muzika dhe vallja bëhen gjuhë e historisë, Myzeqeja flet me zemër, vajton me krenari dhe ruan me fanatizëm thesarin e saj kulturor.
Gazetar: Ndriçim Gjoshi


