Dy tërmete të njëpasnjëshëm janë regjistruar mbrëmjen e së dielës në Greqi, brenda një intervali prej rreth shtatë minutash, duke u ndjerë në disa zona të Atikës Juglindore.
Sipas të dhënave sizmiologjike, lëkundja e parë është regjistruar rreth orës 19:50 me magnitudë 2.7 ballë sipas shkallës Rihter. Epiqendra e saj ka qenë rreth 6 kilometra në verilindje të Rafinës, ndërsa thellësia fokale është llogaritur rreth 8.4 kilometra.
Lëkundja e dytë ka ndodhur rreth orës 19:57, me magnitudë 2.9 ballë sipas shkallës Rihter. Sipas matjeve automatike, ajo ka pasur një thellësi fokale rreth 5 kilometra, me epiqendër po ashtu në zonën verilindore të Rafinës.
Sizmologët i kanë cilësuar të dyja lëkundjet si të lehta dhe të parrezikshme. Autoritetet bëjnë të ditur se nuk raportohen dëme materiale apo persona të lënduar, ndërsa situata paraqitet e qetë.


