Dy kontrata të ndryshme qiraje mes Focus Group dhe autoriteteve, Ministria e Ekonomisë sqaron problemin me News 24.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit deklaron se pretendimet e Focus Group për një kontratë qiraje deri në vitin 2033 nuk lidhen me pronën në konflikt dhe se ndërhyrja e policisë është bërë në përputhje të plotë me ligjin e vendimet gjyqësore.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit në ambientet e Focus Group, ku operojnë News 24, Panorama, BalkanWeb dhe Gazeta Shqiptare.

Në reagim, MEKI thekson se ka pasur dy kontrata qiraje të ndryshme me të njëjtin autoritet, ndërsa gjykata ka prishur vetëm njërën prej tyre. Pretendimet e grupit mediatik për një kontratë të vlefshme deri më 2033 nuk kanë lidhje me pronën për të cilën është zbatuar vendimi gjyqësor.

Sipas ministrisë, kontrata që Focus Group përmend lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, pa asnjë lidhje juridike apo faktike me atë që i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.

Pasuria në fjalë ndodhet në zonën kadastrale nr. 8170, me sipërfaqe 13,922 m², pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në Shkozë. Për këtë pasuri ekziston një kontratë tjetër qiraje e lidhur në vitin 2013 dhe e ndryshuar me aneks në vitin 2016, me afat deri në vitin 2033.

Ndërkohë, prona e kaluar “KAYO” sh.a., sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12.3.2025, ka qenë me qira që prej vitit 2002 deri në vitin 2022 dhe ka qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë kundër Focus Media News.

MEKI sqaron se kontrata e përmendur nga Focus Group, e vlefshme deri në vitin 2033, ka numër dhe kufij të ndryshëm nga prona objekt i konfliktit. Kjo vërtetohet nga dokumentacioni kadastral dhe planet e rilevimit, të cilat tregojnë se bëhet fjalë për dy pasuri të veçanta.

Ministria e cilëson të pabazë çdo përpjekje për të paraqitur këto pasuri si të njëjta, duke e konsideruar këtë si një formë dizinformimi nga media që duhet të raportojë të vërtetën.

Institucioni thekson se asnjë interes material i pronarëve nuk justifikon përhapjen e informacionit të rremë, pasi bëhet fjalë për dy kontrata tërësisht të ndryshme, që nuk ndikojnë mbi vendimet gjyqësore të formës së prerë për lirimin e menjëhershëm të pronës së kaluar “KAYO” sh.a.

MEKI rikonfirmon se çdo veprim për marrjen në posedim faktik të pronës është bërë në përputhje me ligjin dhe vendimet e gjykatës.

Ministria deklaron se prona është e regjistruar si njësi e veçantë pronësore dhe nuk ka asnjë lidhje me pasuritë e tjera të dhëna me qira përmes kontratave të ndryshme.

Institucioni mbetet i hapur për çdo informacion dhe sqarim, duke theksuar rëndësinë e informimit korrekt të opinionit publik.

Deklarata e plotë e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit:

“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në vijim të interesit të lartë publik dhe për sqarimin e opinionit mbi pretendimet e paraqitura nga Shoqëria “Fokus Media News” lidhur me të ashtuquajturën vazhdimësi të kontratës së qirasë deri në vitin 2033, bën me dije sa vijon:

Pretendimi i shoqërisë se kontrata e saj e qirasë ka afat deri në vitin 2033 lidhet me një pasuri tjetër shtetërore, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me pasurinë e kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a.

Pasuria në fjalë është gjithashtu në pronësi të shtetit dhe ndodhet në zonën kadastrale nr. 8170, pasuria nr. 10/304, me sipërfaqe trualli 13,922 m², pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve” në Shkozë. Për këtë pronë ekziston një tjetër kontratë qiraje e lidhur në vitin 2013 dhe e ndryshuar me aneks në vitin 2016 ndërmjet MFE, sot Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Shoqërisë Panorama Group Sha. me kohëzgjatje deri në 2033.

Në dallim nga kjo, pasuria që i është kaluar shoqërisë “KAYO” sh.a. me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12.3.2025, ishte fillimisht e dhënë me qira në vitin 2002 për një afat deri në vitin 2022 dhe ka qenë objekt i vendimeve gjyqësore të formës së prerë, duke pasur kundërpalë Shoqërinë “Focus Media News”.

Kontrata e qirasë e pretenduar si e vlefshme deri në vitin 2033 i referohet një pasurie tjetër, me numër dhe kufij të ndryshëm nga pasuria objekt i vendimeve gjyqësore dhe që nuk i është kaluar “KAYO” sh.a. Ky fakt konfirmohet nga dokumentacioni zyrtar i regjistrit kadastral dhe nga planet e rilevimit, të cilat tregojnë qartë se bëhet fjalë për njësi pronësore të ndryshme.

Çdo përpjekje për të paraqitur këto pasuri si të njëjta ose të lidhura, përfshirë referencat ndaj kontratave të tjera të qirasë, përveçse e pabazë është edhe një dizinformim nga ana e një media-je që duhet të tregojë të vërtetën. Asnjë interes material i pronarëve nuk e justifikon keqinformimin!

Pra janë dy gjëra e dy kontrata krejt të ndryshme dhe kjo e dyta nuk ka asnjë ndikim mbi vlefshmërinë, legjitimitetin apo ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë që detyrojnë lirimin e menjëhershëm të pasurisë së kaluar nga Këshilli i Ministrave shoqërisë “KAYO” sh.a., për realizimin e objektit të saj të aktivitetit.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rikonfirmon se veprimet për marrjen në posedim faktik të kësaj prone janë në përputhje të plotë me ligjin dhe me vendimet e gjykatave, si dhe se pasuria është e regjistruar qartësisht si njësi e veçantë pronësore, pa lidhje me asnjë pronë tjetër të dhënë me qira përmes kontratave të ndryshme.

MEKI mbetet e hapur për çdo sqarim e informacion në interes të informimit korrekt të opinionit publik dhe të gjithë të interesuarve”.

Ndaj Postimin: