Dy ditë të përmbytur nga Vjosa, banorët e Ferrasit nisin pastrimin

Dhjetëra banorë të fshatit Ferras në Fier kanë nisur mëngjesin e sotëm pastrimin e banesave dhe oborreve nga uji dhe llumi i mbetur pas përmbytjeve të shkaktuara nga dalja nga shtrati e lumit Vjosë, dy ditë më parë.

Shtëpitë kanë qëndruar për më shumë se 48 orë nën ujë, ndërsa banorët deklarojnë se deri në këto momente kanë munguar ndihmat dhe prania e institucioneve përgjegjëse. Sipas tyre, nuk ka pasur asnjë mbështetje në ushqime apo veshmbathje, duke i detyruar familjet të përballen të vetme me pasojat e përmbytjes.

Një prej banorëve shprehet se kjo është hera e tretë që banesa e tij përmbytet, pavarësisht se është ndërtuar prej vitesh. Ai thekson se vitin e kaluar ka përfituar vetëm 300 mijë lekë ndihmë, ndërsa këtë vit, sipas tij, po flitet se do të përfitojnë edhe persona që nuk janë prekur nga përmbytjet.

Të përballur me kushte të vështira dhe pa zgjidhje afatgjatë, banorët e Ferrasit kërkojnë ndërhyrje emergjente nga institucionet shtetërore, ndihmë në ushqime dhe veshmbathje, si dhe investime të menjëhershme në infrastrukturë dhe sistemimin e argjinaturave.

Sipas tyre, situata është bërë e padurueshme dhe rreziku përsëritet sa herë që ka reshje të dendura shiu, duke i lënë familjet të ekspozuara ndaj përmbytjeve të vazhdueshme nga lumi Vjosë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033