Durrësi përballet me sfida, por ruan pozitat në turizëm

Pavarësisht një rënieje të lehtë të turistëve shqipfolës, Durrësi po mban një sezon stabil falë tur-operatorëve të huaj dhe zgjatjes së sezonit deri në nëntor.

Sezoni turistik në Durrës po ecën me ritme të mira, edhe pse rezervimet individuale në korrik e gusht kanë shënuar rënie deri në 5%. Operatorët shprehen optimistë, pasi marrëveshjet me agjenci të huaja dhe zgjatja e sezonit pritet të balancojnë humbjet.

Blerim Norja, kryetar i Shoqatës së Strukturave Akomoduese Durrës–Kavajë, shprehet për revistën Monitor se mungesa më e madhe është ndier nga turistët e diasporës, që zakonisht prenotojnë në momentet e fundit. Ai thekson se pritshmëritë kanë qenë më të larta, por disa hotele që pritën rezervime individuale me çmime më të larta nuk arritën objektivat.

Sipas Nories, rënia e klientëve të diasporës është kthyer në bumerang për strukturat që nuk kishin lidhur kontrata të hershme me tur-operatorë ndërkombëtarë. Për këtë arsye, disa hotele kanë pasur dhoma bosh gjatë pikut të sezonit.

Fatos Çerenishti, administrator i “FAFA Group”, pohon se tregu mbetet i qëndrueshëm, veçanërisht për kontratat me tur-operatorë europianë, që nuk kanë ndryshuar planet. Ai shton se rënia ka ardhur kryesisht nga turistët vendas, emigrantët dhe shqiptarët e Kosovës.

Sipas operatorëve, 90% e turistëve që mungojnë janë shqipfolës, gjë që lidhet edhe me perceptimin negativ për çmimet dhe shërbimet në vend. Disa kanë zgjedhur të mos vizitojnë Durrësin, ndërsa të tjerë kanë preferuar udhëtimet jashtë Shqipërisë.

Zgjatja e sezonit ka qenë shpëtim për shumë struktura. Sipas Nories, aktiviteti nisi në fillim të prillit dhe do të zgjasë deri në nëntor, duke shtuar dy muaj pune. Kjo, sipas tij, do ta bëjë bilancin përfundimtar pozitiv pavarësisht rënies së korrikut.

Por, ndonëse numri total i vizitorëve është rritur, turistët me shpenzime të larta janë pakësuar. Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar, paralajmëron se humbja e këtij segmenti rrezikon imazhin e Shqipërisë si destinacion cilësor.

Një problem i madh këtë vit ka qenë mungesa e ujit të pijshëm, veçanërisht në Golem dhe qytetin e Durrësit. Çerenishti thotë se hotelet janë detyruar të hapin puse, të përdorin bote uji dhe të zbrazin pishinat për të përballuar situatën, ndërsa imazhi i vendit është dëmtuar në rrjete sociale.

Operatorët theksojnë se forcimi i lekut dhe rritja e pagave po sjellin presion financiar. Edhe pse çmimet zyrtarisht nuk janë rritur, fitimet janë ulur për shkak të kursit të këmbimit dhe kostove më të larta.

Gjetja e stafit të kualifikuar mbetet sfidë. Punonjësit hezitojnë të punojnë vetëm për 3-4 muaj dhe mungesa e kontratave afatgjata e bën turizmin një sektor jo tërheqës për karrierë. Çerenishti sugjeron mbështetje financiare sipas strategjisë së turizmit 2030, me pagesa të ndara mes biznesit dhe shtetit.

Megjithë sfidat, Durrësi vazhdon të jetë destinacion i preferuar për pushuesit vendas dhe të huaj, falë aksesit të lehtë, detit të ngrohtë dhe çmimeve ende konkurruese krahasuar me rajonin. Për shumë vizitorë, atmosfera dhe jeta e natës mbeten arsye të forta për t’u rikthyer.

Ndaj Postimin: