Durrës Marina ka mbledhur 43 milionë euro nga rezervimet e apartamenteve, pavarësisht se ndërtimi i godinave sapo ka filluar dhe projektit i duhet ende shumë kohë për t’u përfunduar.
Kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësime për financimin e sektorit të ndërtimit përmes shitjes së apartamenteve në ajër, duke theksuar se kjo mënyrë nuk është më e pranueshme për periudhën aktuale. Ai ka kërkuar të zëvendësohet ky model me forma më transparente financimi, larg kleringut dhe parashitjes në faza të paqarta.
Ndërsa qeveria kërkon të ndalojë këtë model, një kompani e saj në Durrës po vijon pikërisht këtë praktikë. Durrës Marina, shoqëri aksionare ku qeveria ka 33% dhe biznesmeni Mohamed Alabbar 67%, raportoi arkëtime prej 4.17 miliardë lekësh (rreth 43 milionë euro) nga kontratat me klientët, përkundër se godinat janë në fazat fillestare të ndërtimit.
Sipas bilancit zyrtar, 19.2 milionë euro u arkëtuan gjatë vitit 2023 dhe 23.7 milionë euro të tjera gjatë vitit të kaluar, të ardhura që nuk janë njohur ende në pasqyrat financiare pasi do të regjistrohen vetëm me transferimin e apartamenteve tek blerësit.

Projekti në Portin e Durrësit nisi punimet në korrik 2023, me tri godina në ndërtim. Totali i shpenzimeve deri tani është 44 milionë euro, ku 35 milionë janë për ndërtim dhe zhvillim, dhe 9 milionë për përmirësimin e infrastrukturës.

Modeli i përdorur nga Durrës Marina është “shit dhe ndërto”, ku blerësit paguajnë paraprakisht 40% të vlerës së apartamenteve pa filluar ndërtimi. Kjo përfshin 20% të paguar brenda 5 ditëve nga kontrata paraprake dhe 20% brenda 6 muajve nga marrja e lejes së ndërtimit.
Kjo strategji u jep kompanive likuiditet direkt nga blerjet, duke i shmangur nevojën për kredi bankare në fazat fillestare të projektit. Por blerësit do të duhet të presin për vite deri sa banesat të jenë gati për dorëzim.
Sipas parashikimeve, Durrës Marina synon të gjenerojë mbi 3.2 miliardë euro të ardhura totale, ku pjesa më e madhe do të vijë nga shitjet e apartamenteve në këtë resort turistik të madh në bregdet.
Ky rast nxjerr në pah kontradiktat mes qëndrimeve të qeverisë për financimin e ndërtimit dhe praktikave reale të kompanive në pronësi të përzier publike-private, që vazhdojnë të mbështeten në shitjen paraprake të pasurive në ajër.


