Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “CLEANING 3”, duke shkatërruar një grup të organizuar që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike në zona pranë shkollave. Si rezultat, janë arrestuar 12 persona dhe është shpallur në kërkim një tjetër.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit dhe me mbështetjen e Forcave të Posaçme “Shqiponja”.
Në pranga është vënë F. A., 30 vjeç, i dyshuar si organizator i grupit, i cili përveç akuzës për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, do të përballet edhe me akuza për kontrabandë, armëmbajtje pa leje, fshehje të të ardhurave dhe punësim të paligjshëm.
Mes të arrestuarve janë edhe: B. O., A. P., E. Sh., T. D., F. C., G. K., I. H., S. Sh., I. D., M. K. dhe V. Sh., ndërsa në kërkim vijon B. M.
Gjatë operacionit u sekuestruan 180 doza kokaine, 620 doza kanabisi, peshore elektronike, 16 celularë, armë të ftohta, municion dhe një përforcues grushti.
Sipas hetimeve, grupi kishte ndërtuar një rrjet të organizuar shpërndarjeje që vepronte në afërsi të gjimnazeve të qytetit. Të arrestuarit do të përballen me akuzat për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, ndërsa materialet hetimore janë dërguar në Prokurorinë e Durrësit.


