Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 31-vjeçar, i shpallur në kërkim, i dyshuar për një rast kanosjeje me armë zjarri të ndodhur në mesnatën e 16 tetorit 2025.
Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për shtetasin me iniciale G. G., 31 vjeç, banues në Tiranë, i cili rezulton me precedent penal të mëparshëm. Ai dyshohet se ka kërcënuar me armë zjarri shtetasin B. H., për motive të dobëta, në një rrugë të fshatit Fllakë.
Pas administrimit të informacioneve operative mbi vendndodhjen e tij, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit, finalizuan operacionin policor të koduar “Autorësia”, duke bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin e datës 1 nëntor 2025, i ka caktuar shtetasit G. G. masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.