Durim Bami mbërrin në Shqipëri pas ekstradimit nga Dubai

Durim Bami ka mbërritur në Shqipëri pas ekstradimit nga Dubai. Ai është shoqëruar nga Rinasi drejt Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Bami, i konsideruar si një nga anëtarët e bandës së Niklës, u arrestua në Dubai në tetor 2024, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Gjykata e Posaçme i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Sipas dosjes, ai akuzohet se kishte kërkuar eliminimin e ish-deputetit Arben Ndoka, ndërsa raportohet se edhe vetë ishte në shënjestër të grupeve rivale. Ervis Martinaj kishte ofruar 1 milion euro për eliminimin e tij.

Në shkurt 2021, sipas SPAK, Bami bashkë me Endrit Doklen dhe Marklen Hakën planifikoi vrasjen e Tori Xhecukës dhe Erigers Mihasit, ky i fundit i vrarë në Tiranë.

Prokuroria e Posaçme pretendon se Bami drejtonte dhe financonte një grup që kultivonte kanabis në zonat e Niklës dhe Bubqit gjatë periudhës dhjetor 2019–korrik 2020 dhe sërish në shtator 2020. Në këtë aktivitet, sipas hetimeve, ndihmohej nga ish-efektivi i RENEA-s Altin Morina, aktualisht i arrestuar, si dhe persona të tjerë të paidentifikuar që jepnin informacione të brendshme për të shmangur kontrollet policore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033