Durim Bami, emër i njohur i botës së krimit në Nikël dhe Fushë Krujë, pritet të rikthehet në Shqipëri pasi gjykata në Dubai rrëzoi kërkesën e tij për qëndrim si rezident. Me humbjen e gjyqit, Emiratet i kanë hapur rrugën ekstradimit të tij drejt SPAK.
Bami akuzohet nga SPAK për sigurimin e kushteve për vrasjen e ish deputetit Arben Ndoka, si edhe të Hektor Xheçukës dhe Erigers Mihasit, ngjarje të kryera sipas hetimeve në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Ai akuzohet gjithashtu për kultivim narkotikësh në bashkëpunim.
Për prokurorët, prurja e tij në Shqipëri shihet si një mundësi për të zbardhur edhe ngjarje të tjera të rënda, pasi Bami konsiderohet një personazh me ndikim në botën kriminale dhe i lidhur me episode të shumta në vite.
Bami u arrestua fillimisht në qershor 2024 në Dubai pas një urdhër arresti të lëshuar nga SPAK. Megjithatë, ai arriti të siguronte qëndrim të përkohshëm, me detyrimin për t’u paraqitur në polici sa herë të kërkohej. Pasi injoroi tre njoftime zyrtare, ai u arrestua sërish në tetor të po atij viti.
Vendimi i fundit i gjykatës në Dubai e ka lënë pa mbështetje ligjore, duke e bërë ekstradimin e tij drejt Shqipërisë tashmë të pashmangshëm.


