“Duan të më bllokojnë”, grantet e IPARD përfundojnë në gjykatë, beteja për kthimin e fondeve

Fermat, bujtinat dhe gjykatat, historia e fondeve IPARD në Shqipëri

Nga Anila Hoxha

Juristi i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural këmbënguli para gjyqtares Gentiana Xhelili në Tiranë se shtetasi T. A. (inicialet e ndryshuara) administrator i një shoqërie në Lundër (disponohen të dhënat e plota, por nuk bëhen publike sa kohë çështja është në proces gjyqësor) përfitoi fonde nga Bashkimi Europian, konkretisht nga programet e IPARD, në shkelje të ligjit.

Një nga argumentet që sjell përfaqësuesi juridik është “se përfituesi i IPARD nuk respektoi rregullat”.

Gjykata Administrative u vu në lëvizje nga AZHBR me një ankesë nga e cila kërkohet që shoqëria në fjalë duhet të kthejë shumën që përfitoi nga IPARD.

AZHBR mbrohet me faktin se “është institucioni përgjegjës për administrimin e fondeve të programeve për bujqësinë, ofron shërbime të drejtpërdrejta për fermerët vendas dhe është gjithashtu përgjegjës për fondet e bujqësisë të Bashkimit Europian”.

Gjyqi ndodh në kohën kur fondet janë “ngrirë” pas hetimeve të OLAF-it.

Qeveria

Hetimet vijojnë ende në Shqipëri dhe qeveria përmes ministrit të Financave, Petrit Malaj, njoftoi pak kohë më parë se “fondet e IPARD 3 do të hapen gjatë 2026”.

“IPARD ka qenë i suksesshëm si në fazën e parë, ashtu edhe në të dytën. Për shkak të disa parregullsive të konstatuara në fazën e dytë, Komisioni Evropian nëpërmjet DG Agri kërkoi një sërë masash që duhej të përmbusheshin nga qeveria shqiptare. Këto masa janë në proces dhe jam shumë optimist se do të përmbyllen me sukses. Më shumë detaje për këtë çështje do t’i japë ministri i linjës, por mund të them se IPARD III do të hapet gjatë vitit 2026 dhe në varësi të diskutimeve dhe masave që ka bërë qeveria shqiptare, ky program besoj do jetë një kontribut shumë i madh për bujqësinë shqiptare”.

Gjyqet

Megjithatë, në dyert e drejtësisë po hapen një e nga një dosjet mbi pretendimet se nuk janë respektuar kushtet e granteve të IPARD-it.

Për të zgjidhur konfliktet, me palë nga njëra anë AZHBR që kryen auditimet dhe nga ana tjetër fituesin e granteve, janë angazhuar dy gjykata administrative, e para në Tiranë dhe e dyta në Lushnjë.

Tirana

Në kryeqytet, në një nga paditë e hapura prej 17 shkurtit 2024, gjykata ngarkoi një ekspert të pavarur për të hetuar se çfarë investimesh kishin ndodhur realisht në një nga fshatrat e Roskovecit pas mbështetjes me grante.

Eksperti pohoi në gjykatë se “nga verifikimi konstatoi se fermeri me emrin e subjektit me inicialet ‘E. F.’ sh.p.k ishte mbështetur për ndërtimin e dy serave”. Por në terren ai zbuloi se ishte ndërtuar vetëm një serë. “Tjetra nuk ekzistonte”.

Ky proces vazhdon ende mes Agjencisë që thotë “se duhet t’i kthehet granti bashkë me penalitetet e borxhit” dhe fermerit i cili kundërshton se i ndërpreu investimet pasi nuk iu dha e gjithë shuma që iu premtua se do mbështetej.

Ecuria

Ndërsa procesi gjyqësor për dy serat ka hyrë në fazën e prapësimeve për kthimin e shumës prej 8.7 milion lekësh, në Tiranë për subjektin e paditur në Lundër, AZHBR këmbëngul se mbështetja e dhënë prej 24 milionë lekësh duhet kthyer.

Pretendimet mbështeten në kontrollet e AZHBR, e cila konfirmon se në varësi të gjetjeve ajo ka kërkuar në gjykatë ose kthim shume të pjesshme ose të plotë.

Argumentimet juridike të AZHBR po dëgjohen në seanca nga gjyqtarët administrativë në Tiranë, aty ku ka përfunduar pjesa dërrmuese e kërkesë-padive rreth fondeve të Bashkimit Europian në ndihmë të fermerëve vendas.

Problematika

Në rastin e një subjekti të paditur që operon në fushën e agroturizmit, gjykata e ka të paqartë se përse dokumentet e dorëzuara nga aplikanti për “diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit” nuk u kontrolluan, pavarësisht se në rregullat e skemës së IPARD dhe mbështetjes së bashkëfinancuar detyrat janë të qarta, duke përfshirë jo vetëm procedurat e aplikimit, përzgjedhjen, pranueshmërinë dhe kontraktimin, por edhe zbatimin e kontratës. Çështja ka hyrë në fazën e ballafaqimit të dokumenteve dhe është ende larg shpalljes së një vendimi.

KLSH

Në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit përmendet se “janë vlerësuar dhe disbursuar fonde për 166 kontrata”.

KLSH rendit se gjatë vitit 2022 janë paguar 111 investime të plota/të përfunduara dhe janë kryer 84 pagesa paraprake, me një total disbursimi prej 19.1 milionë euro, prej të cilave 14.4 milionë euro nga BE dhe 4.7 milionë euro nga buxheti i shtetit. Rreth 17% e përfituesve kanë qenë gra.

Paratë ku janë?

Padia me objekt “kthim shume” nuk është e vetmja, por renditet mes dhjetëra padive të tjera të hapura nga AZHBR në Gjykatën Administrative në Tiranë.

Zyrtarisht konfirmohet se janë 61 çështje ku Agjencia ka paditur subjektet që kanë përfituar nga IPARD.

AZHBR konfirmon se ka inicuar procese për kthimin e fondeve në masë të plotë ose të pjesshme kundër 76 subjekteve.

Argumentimi

Avokati Isuf Shehu këmbëngul se institucionet po përmbushin detyrimet e tyre ligjore për të çuar deri në fund qëndrimin e Bashkimit Europian që kërkon hetime në destinimin e këtyre fondeve.

“Ky aksion në Gjykatën Administrative tregon se shteti shqiptar ka bërë një hetim administrativ prej nga ky konkludohet para gjykatës me padi. Por ky proces nuk ka lidhje fare me hetimin penal”, u shpreh ai.

Po hetimet penale?

Për çështjen në fjalë, që ka hyrë në vitin e tretë të hetimit, SPAK pranon se ka persona nën hetim, por procedimi penal është ende në fazën e hetimeve paraprake dhe aktet hetimore përbëjnë sekret hetimor.

Një burim pranë SPAK tha se janë sekuestruar një sërë kontratash dhe janë vlerësuar dokumente e dëshmi me interes për procedimin.

Nga ana tjetër, gjatë monitorimit të proceseve gjyqësore është zbuluar se subjektet nuk kanë respektuar kontratat për të investuar në disa fusha, nga kapanonet për mbledhjen e frutave, ndërtimin e serave, konservim peshku, bujtina e agroturizëm.

Humbës apo fitues?

D. L. (inicialet e ndryshuara) është një nga subjektet që u padit si përfitues i granteve në sektorin e turizmit rural me synim “investim në ndërtim dhe mobilim bujtine agroturistike”.

Pas grantit, përfituesi paraqiti kërkesë për parapagesë. Pas transferimit të shumës së parë kërkoi shtyrje afati për mbylljen e investimit dhe depozitoi kërkesën për pagesë tej afatit të përcaktuar në kontratë.

AZHBR nisi procedurat ligjore.

Shkalla e parë e detyroi me vendim që të kthejë shumën e grantit.

Por beteja ligjore nuk ka marrë fund.

D.L. thotë se aplikoi si kushdo tjetër dhe se disponon kontratë për procedurat. “Më dhanë një këst prej 5 milionë lekësh dhe kurrë nuk erdhën për të bërë kontrolle. Normalisht duhet të lëvronin edhe këstet e tjera por i ndërprenë për shkak të neglizhencës së tyre. Kërkojnë kthim shume sepse synojnë të më bllokojnë”, u shpreh ai.

Ai insiston se fitoi një grant prej 27 milionë lekësh, i cili nuk iu kalua i plotë dhe se pas humbjes në Gjykatën Administrative do t’i drejtohet Gjykatës së Apelit.

A do të kthehen paratë?

AZHBR insiston se D.L. duhet të kthejë shumën prej 5,020,877.27 lekësh që përfitoi në bazë të kontratës së grantit.

Përfituesi detyrohet të paguajë edhe penalitetet deri në datën e kthimit të shumës, të llogaritura me një vlerë prej rreth 4 milionë lekësh shtesë.

Avokati Ilir Qafa shprehet se vendimet gjyqësore rrezikojnë të mbeten thjesht vendime jo të ekzekutueshme.

“Vendimet gjyqësore rrezikojnë të mbeten thjesht vendime, jo të ekzekutueshme. Sepse nga njëra anë shohim të jepen vendime gjyqësore dhe nga ana tjetër ka vend për të menduar se procesi ka për të qenë formal me një sërë veprimesh përmbarimore, që mund të mos garantojnë realizimin real për të rikuperuar fondet e shpërndara sipas programit të IPARD”, u shpreh ai.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033