Një program i ri pas-shkollor, i shoqëruar me ofrimin e drekës në ambientet e shkollës, pritet të nisë si projekt pilot në 30 institucione arsimore në Tiranë gjatë vitit të ardhshëm shkollor.
Programi “Afterschool” do të zbatohet në disa shkolla 9-vjeçare në qendër të kryeqytetit, si “Emin Duraku”, “Konferenca e Pezës” dhe “Sabaudin Gabrani”, por edhe në zona periferike, përfshirë “Pal Engjëlli” dhe “Ibrahim Brahja”.
Përfitues do të jenë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Synimi është zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë pas përfundimit të orarit mësimor zyrtar, duke ofruar mbështetje shtesë arsimore dhe një mjedis të mbikëqyrur.
Përzgjedhja e shkollave është bërë kryesisht mbi bazën e rikonstruksionit dhe plotësimit të kushteve për ofrimin e ushqyerjes brenda godinave arsimore. Prindërve u është shpërndarë një formular ku kërkohet shprehja e pëlqimit për përfshirjen e fëmijëve në program.
Sipas formularit, nxënësit do të qëndrojnë në shkollë deri në orën 16:00 dhe do të përfitojnë drekë pa pagesë, e financuar nga Bashkia. Vendimi përfundimtar për përfshirjen e secilës shkollë do të varet nga numri i lejeve të dhëna nga prindërit.
Programi shihet si vazhdim i konceptit “shkolla si qendër komunitare”, por edhe si përgjigje ndaj kërkesave të prindërve që përballeshin me vështirësi për të marrë fëmijët në mesditë. Projekti është pjesë e programit qeverisës “Shqipëria 2030”, i cili parashikon zgjerimin e shkollave me drekë falas të paktën në çdo bashki qendër qarku brenda mandatit të katërt të socialistëve.