Drejtoria e Burgjeve tregon si Altin Ndoci u arratis nga spitali

Altin Ndoci, i arrestuar me urdhër të SPAK, është arratisur nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.

Drejtoria e Burgjeve njofton se Ndoci është larguar nga ambientet e spitalit, ku ndodhej nën shoqërimin e Policisë së Burgjeve. Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili disponon repart sigurie për të paraburgosurit.

“Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Altin Ndoci, 39 vjeç, me origjinë nga Puka dhe banues në Tiranë, ishte i burgosur në burgun e Durrësit dhe u arratis nga spitali infektiv në qytetin bregdetar. Ai është një emër i njohur për strukturat ligjzbatuese, për shkak të një serie arrestimesh dhe hetimesh të mëparshme për trafik droge, grabitje dhe vrasje në zonat e Durrësit dhe Fierit.

Ndoci u bë i njohur për publikun pas rrëfimit të një bashkëpunëtori të drejtësisë, i cili zbuloi lidhjet e tij me vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës, si edhe përfshirjen në ekzekutimin e dy personave të tjerë, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia, më 2 mars 2020.

Sipas policisë, Altin Ndoci ka lidhje të ngushta me grupe kriminale të zonës së Pukës dhe është shoqërisht i lidhur me persona të tjerë të njohur për krime të rënda, përfshirë Arben Muçon, i arrestuar në vitin 2018 në Fier për tentativë grabitjeje me armë.

Ai dyshohet gjithashtu se ka marrë pjesë në ngjarje të tjera kriminale, ku mbeti i vrarë Xhuljan Sollaku dhe u plagos Arben Muço, ndërsa pjesëtarë të tjerë të grupit arritën të largohen. Strukturat e rendit vijojnë kërkimet intensive për kapjen e tij dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të arratisjes.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033