Drejtoria e Burgjeve kërkon masa disiplinore për avokatin e Metës pas intervistës së diskutueshme

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka kërkuar masa disiplinore ndaj avokatit Kujtim Cakrani, pasi lejoj Ilir Metën të jepte një intervistë audio nga paraburgimi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka nisur një procedurë ndaj avokatit Kujtim Cakrani, përfaqësuesi ligjor i Ilir Metës, duke e akuzuar se ka shkelur rregullat e institucionit. Sipas autoriteteve, ai ka mundësuar një komunikim publik të klientit të tij nga ambientet e paraburgimit, gjë që bie ndesh me ligjin.

Ngjarja ndodhi më 1 korrik 2025, gjatë një emisioni të drejtpërdrejtë në televizionin “MCN”. Sipas dokumenteve, Cakrani u shfaq në studio si mbrojtësi ligjor i Ilir Metës dhe përdori telefonin e tij për të realizuar një lidhje audio me klientin që ndodhej në qeli.

Në atë moment, telefoni u vendos në altoparlant dhe më pas iu dha moderatores për të zhvilluar një intervistë të hapur me ish-presidentin. Ky veprim, sipas Drejtorisë së Burgjeve, ka cënuar rregullat e komunikimit, pasi një i paraburgosur nuk ka të drejtë të shfaqet publikisht pa miratimin e prokurorit të çështjes.

Autoritetet theksojnë se një veprim i tillë jo vetëm bie ndesh me rregulloren e brendshme, por gjithashtu rrezikon të dëmtojë sigurinë dhe etikën e institucioneve të vuajtjes së dënimit. Për këtë arsye, ngjarja është konsideruar shkelje e rëndë.

Në kërkesën e saj zyrtare, Drejtoria e Burgjeve i referohet nenit 39 dhe nenit 40 të ligjit Nr. 55/2018 “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”. Këto dispozita parashikojnë përgjegjësi të qarta për avokatët që shkelin detyrimet ligjore dhe etike gjatë ushtrimit të profesionit.

Tashmë, çështja është në pritje të shqyrtimit nga organet kompetente, të cilat do të vendosin nëse ndaj Kujtim Cakranit do të hapet një procedim disiplinor, që mund të sjellë pasoja për të drejtën e tij të ushtrimit të profesionit.

Ky zhvillim vjen në një kohë të ndjeshme politike dhe ligjore, pasi emri i Ilir Metës vijon të jetë i pranishëm në debatin publik lidhur me proceset hetimore dhe situatën e tij në paraburgim.

Ndaj Postimin: