Në ambientet e rektoratit të Akademisë së Sigurisë u zhvillua takimi simbolik “Një kafe me miqtë”, një iniciativë që synoi të forcojë lidhjet mes institucioneve ligjzbatuese, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ishte i pranishëm dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe zhvillimit profesional në strukturat e Policisë së Shtetit.
Në këtë aktivitet morën pjesë figura të shquara si Rektori i Akademisë së Sigurisë, Ilirjan Mandro, oficerë kontakti nga ambasadat mike të akredituara në vend, përfaqësues të Prokurorisë dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, si dhe bashkëpunëtorë nga shoqëria civile. Fokusi kryesor ishte analiza e arritjeve të vitit 2024 dhe përgatitja për sfidat e ardhshme.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori Proda vlerësoi punën e Akademisë së Sigurisë në drejtim të përmirësimit të arsimit policor dhe përgatitjes së brezave të rinj. Ai nënvizoi se lufta kundër krimit nuk mund të bëhet individualisht, por kërkon një qasje të koordinuar dhe mbështetje nga të gjitha palët.
“Bashkëpunimi është shtylla e çdo suksesi, qoftë në luftën kundër krimit apo në përgatitjen e gjeneratave të reja të policisë,” deklaroi Proda. Ai falënderoi partnerët për ndihmën e dhënë në hartimin e kurrikulave, trajnimeve dhe certifikimeve ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë mbështetje si një investim afatgjatë dhe jetik për institucionin.
Rektori Mandro, nga ana e tij, evidentoi progresin e arritur nga Akademia e Sigurisë gjatë vitit 2024. Ai theksoi se puna për përmirësimin e sistemit arsimor policor ka qenë në përputhje të plotë me objektivat strategjike të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme.
“Rezultatet e vitit që lamë pas treguan se, kur punojmë së bashku, mund të arrijmë rezultate mbresëlënëse. Për vitin 2025, qëllimi ynë është i qartë: do të bëjmë ato që kemi premtuar,” tha Mandro, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit dhe përmbushjes së objektivave.
Takimi përmbylli një mesazh të qartë për përparësinë që Policia e Shtetit dhe Akademia e Sigurisë i japin formimit profesional, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rritjes së standardeve për një shoqëri më të sigurt. Ky bashkëpunim do të vazhdojë të jetë themel për përballjen me sfidat që sjell e ardhmja.