Në Shqipërinë e pas viteve 2000, korupsioni në sektorët publikë ka arritur nivele alarmante, duke përfshirë drejtorët e rëndësishëm të agjencive dhe institucioneve shtetërore.
Një shembull konkret është Spartak Kovaçi, ish-drejtor i Ujësjellësit të Durrësit, i cili është bërë një simbol i lidhjeve të dyshimta mes politikës, biznesit dhe tenderëve publikë. Kovaçi do të mbahet mend jo vetëm për falimentimin e Ujësjellësit të Durrësit gjatë administratës së tij, por edhe për faktin se ai përfitoi tendera për të afërmit e tij.
Pas shpërthimit të skandalit dhe hetimeve të nisura nga BKH, Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës, u detyrua ta shkarkojë Kovaçin në mars të vitit të kaluar. Megjithatë, ai nuk u largua plotësisht nga skena e tenderëve publikë. Pasi u largua nga drejtimi i Ujësjellësit, Kovaçi vazhdoi të përfitonte nga tenderat në sektorin e ujësjellësve, duke përfshirë një tender të madh në fund të vitit të kaluar, vlerën e të cilit e kaloi 8.9 milionë euro.
Tenderi në Spille
Tenderi për sistemin e ri të kanalizimeve në Spille, i shpallur nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, ishte një nga ato që nxiti dyshime të mëdha. Dy kompani konkuruan për të fituar tenderin: bashkimi i shoqërive 2T dhe Adriatik, dhe kompania Fusha. Kompania 2T, e cila fitoi tenderin, është e lidhur me familjen e Spartak Kovaçit dhe me emra të tjerë të njohur, si Artan Sako, vëllai i ish-komandantit të Gardës, Gramoz Sako.
Ky tender i madh ka nxjerrë në pah lidhjet e ngushta mes Kovaçit dhe drejtuesve të tjerë të institucioneve të rëndësishme shtetërore. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, Klevis Jahaj, është një tjetër figurë që ka lidhje të ngushta me Kovaçin, duke nënshkruar tenderin që favorizoi këtë kompani. Jahaj dhe Kovaçi janë bashkëpunëtorë të vjetër, dhe janë parë shpesh së bashku në takime dhe mbledhje ku janë diskutuar reforma dhe investime në sektorin e ujësjellësve dhe kanalizimeve.
Në këtë panoramë, të gjithë garuesit e përfshirë në këtë tender kanë qenë figura që ndodhen nën hetim, duke përfshirë biznesmenin Shkëlqim Fusha, i cili është nën hetim për lidhjet e tij me çështjen Veliaj. Sipas hetimeve të SPAK, shumë nga këta individë janë të lidhur me familje të pushtetarëve dhe figura të tjera të fuqishme, duke krijuar një sistem të mbyllur tenderash që pasurojnë vetëm një grup të caktuar njerëzish.
Një tjetër element që ngre dyshime të forta është lidhja mes Petrit Kovaçit dhe Gent Klosit, vëllait të zëvendësministrit të Infrastrukturës, Ceno Klosi. Petrit Kovaçi është pronar i kompanisë Adriatic Union, e cila ka ndërtuar një hotel luksoz në Durrës, Azure Elegance Hotel. Leja për ndërtimin e këtij hoteli u dha në maj të vitit 2023, në kohën kur Gent Klosi kishte qenë aksioner i kësaj kompanie, por më pas i shiti aksionet për një çmim simbolik.
Për të gjitha këto lidhje dhe përfitime, shqetësimi është i madh për nivelin e korrupsionit që mbizotëron në sektorin e infrastruktures dhe nëpërmjet tenderëve që shpesh favorizojnë një grusht individësh të lidhur me pushtetin. Në një vend ku korrupsioni ka arritur nivele “state of the art”, figura të tilla si Kovaçi, Jahaj dhe të tjerë, po vazhdojnë të kontrollojnë tendera dhe investime të mëdha, duke thelluar më tej problemet e infrastruktura dhe duke pasuruar veten dhe të afërmit e tyre.