Familja e Martin Canit ka dhënë reagimin e parë pas vendimit të gjykatës që dënoi me 16 vite burg autorin e vrasjes së të miturit, Mario Perlleshaj. Në deklaratë, familja e cilëson vendimin “një rreze të fortë drejtësie” pas një viti dhimbjeje të pamasë.
Ata theksojnë se gjykata refuzoi që ngjarja të trajtohej si një vepër e vetme penale dhe njohu zyrtarisht atë që familja kishte kërkuar që në fillim: dy vepra të ndara — vrasja e Martinit dhe tentativa për vrasje ndaj Luisit. Për familjen, ky është një akt kuraje dhe profesionalizmi.
“Ky vendim nuk na e kthen Martinin, por jeta e tij u trajtua me dinjitet dhe dhimbja jonë nuk u shpërfill,” shprehet familja, duke falënderuar gjyqtarët për integritetin e treguar.
Në deklaratë, familja njofton edhe tre nisma që do të mbajnë gjallë kujtimin e Martinit:
• Muzeu “Martin Cani”, si hapësirë kujtese dhe edukimi
• Një film biografik mbi jetën dhe ëndrrat e tij
• Fondacioni “Martin Cani”, që do të punojë për sigurinë e fëmijëve në shkolla
Familja shpreh mirënjohje për të gjithë qytetarët që kanë qenë pranë tyre dhe e mbyll deklaratën me fjalët: “Sot, drejtësia foli me zë të qartë për Martin Canin.”


