Po shkojnë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e shkollës së bashkuar “Zyber Sharka” në njësinë administrative Hyzgjokaj, një investim i Bashkisë Lushnjë që synon t’u ofrojë nxënësve kushte bashkëkohore për zhvillimin e procesit mësimor.
Punimet nisën një vit më parë dhe godina e re tashmë është ngritur në dy kate, me një sipërfaqe prej rreth 640 metrash katrorë për secilin kat. Sipas drejtuesit të punimeve, i cili komunikoi jashtë kamerës, objekti pritet të përfundojë në kohë, në mënyrë që nxënësit të nisin vitin e ri shkollor në muajin shtator në ambientet e reja.
Shkolla është projektuar sipas standardeve bashkëkohore dhe do të ofrojë ambiente më funksionale e më të sigurta për nxënësit dhe stafin pedagogjik. Ky konsiderohet një investim i rëndësishëm për zonën, pasi përmirëson infrastrukturën arsimore dhe krijon kushte më të mira për mësimdhënie.
Megjithatë, krahas investimit ngrihet edhe një pikëpyetje. A do të ketë kjo shkollë numrin e nevojshëm të nxënësve për të shfrytëzuar kapacitetet e saj? Vitet e fundit, shumë fshatra po përballen me rënie të ndjeshme të popullsisë për shkak të emigracionit dhe lëvizjes së banorëve drejt qyteteve.
Si pasojë, numri i nxënësve në shkollat e zonave rurale është në rënie, një fenomen që nuk prek vetëm Bashkinë Lushnjë, por pothuajse të gjithë vendin.
Kjo e bën edhe më të rëndësishëm planifikimin afatgjatë të investimeve në arsim, në përputhje me zhvillimet demografike.