Dosja Epstein, mbi 1 000 përmendje për Al Seckel, njeriu që dyshohet se menaxhonte reputacionin online

Dosja Epstein vazhdon të nxjerrë në dritë emra të rinj. Mes miliona e-mail-eve të deklasifikuara së fundmi nga autoritetet amerikane, sipas raportimeve të mediave franceze, përmendet mbi një mijë herë emri i Al Seckel, një amerikan i lindur në vitin 1958 në New York dhe i gjetur i vdekur në Francë në vitin 2015.

Sipas dokumenteve të publikuara, Seckel dyshohet se ishte angazhuar për të menaxhuar reputacionin online të Jeffrey Epstein pas dënimit të tij në vitin 2008 për trafikim të të miturve. Në disa e-mail-e të zbuluara, flitet për përpjekje për të përmirësuar imazhin publik të financierit amerikan përmes manipulimit të rezultateve të kërkimit në internet.

Seckel paraqitej si studiues dhe folës publik, i njohur për interesin e tij në iluzionet optike dhe për pjesëmarrje në forume ndërkombëtare. Ai u lidh në vitin 2007 me Isabel Maxwell, motra e Ghislaine Maxwell.

Sipas raportimeve, ai premtonte se mund të reduktonte praninë e artikujve negativë në internet përmes teknikave SEO dhe krijimit të faqeve me përmbajtje pozitive për Epstein. Në e-mail-e përmenden projekte si faqe interneti me fokus në filantropinë dhe aktivitetet shkencore të financierit.

Megjithatë, shkëmbimet tregojnë edhe tensione mes tij dhe Epstein lidhur me efektivitetin e punës së kryer.

Al Seckel u gjet i vdekur më 1 korrik 2015 në Francë, pranë një shkëmbi rreth 30 metra të lartë. Autoritetet ngritën hipotezën e vetëvrasjes, ndërsa rasti u bë publik disa vite më vonë.

Emri i tij shtohet në listën e personave të përmendur në dokumentet e lidhura me Jeffrey Epstein, i cili vetë u gjet i vdekur në qelinë e tij në New York në vitin 2019.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033