Prokuroria e Posaçme ka marrë zyrtarisht të pandehur kryebashkiakun e Shkodrës, Benet Beci, duke i komunikuar akuzën për shkelje të barazisë në tendera, vepër penale e dyshuar e kryer në bashkëpunim me shtatë persona të tjerë. Hetimi lidhet me tenderin për “Zhvillimin strategjik të sektorit energjetik”, një projekt kërkimor me fond rreth 800 mijë euro.
Ngjarja i referohet një procedure prokurimi të zhvilluar në dhjetor të vitit 2019, në kohën kur Benet Beci ushtronte detyrën e administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH). Përveç tij, mes të pandehurve është edhe Adela Ruko, bashkëshortja e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, si dhe Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti. Beci po hetohet në gjendje të lirë.
Sipas hetimeve, implikimi i kryebashkiakut të Shkodrës ka dalë gjatë një procedure tjetër penale ndaj Evis Berberit. Gjatë këtyre hetimeve, SPAK ka sekuestruar telefonin celular të bashkëshortes së Berberit, ku janë gjetur komunikime mes tij dhe Benet Becit që lidhen drejtpërdrejt me tenderin energjetik.
Një nga komunikimet më të rëndësishme për dosjen është një mesazh i shkruar nga Evis Berberi, ku, duke iu referuar tenderit në fjalë, thuhet: “500 mijë euro për profesorët e Harvardit, 320 mijë euro për ne me dy klasë shkollë.” Sipas SPAK, ky komunikim nuk mbetet i izoluar, pasi procedura e prokurimit është zhvilluar më pas në mënyrë që përputhet me përmbajtjen e mesazhit.
Tenderi me objekt “Zhvillimi i Strategjisë për Sektorin Energjetik” u shpall nga KESH më 13 janar 2020, me fond limit prej 69.5 milionë lekësh pa TVSH, ose rreth 695 mijë euro. Me përfshirjen e TVSH-së, vlera totale e fondit arrinte në rreth 834 mijë euro.
Në këtë procedurë u paraqit vetëm një ofertë, ajo e shoqërisë “Consulting & Management Albania” SHPK, në pronësi të biznesmenit Ervis Myftari. Kompania ofroi kryerjen e shërbimit për 69.35 milionë lekë pa TVSH, rreth 99.8 për qind e fondit limit. Një ditë pas zhvillimit të procedurës, KESH shpalli fituese këtë shoqëri.
Sipas hetimeve të SPAK, mënyra e zhvillimit të tenderit dhe përzgjedhja e fituesit përforcojnë dyshimet se procedura është përdorur për përfitime të paligjshme financiare, në dëm të parimit të konkurrencës dhe barazisë në tendera. Çështja pritet të vijojë në fazat e mëtejshme të procedurës penale, ndërsa të gjithë të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.


