Detaje të reja nga dosja voluminoze e SPAK tregojnë strukturën e brendshme të grupit kriminal të lidhur me fisin Rraja, të dyshuar për disa episode trafiku të lëndëve narkotike. Hetimi ka zbuluar mënyrën e organizimit, rolet e anëtarëve dhe përdorimin e kodeve të veçanta për paketimin e drogës.
Sipas dokumenteve, grupi përdorte pseudonime mes vete dhe shenja dalluese në pakot e aluminit që përmbanin lëndën narkotike, në mënyrë që ngarkesat të mos ngatërroheshin me ato të bashkëpunëtorëve të tjerë.
Një ndër personat kyç që dilte në pah nga komunikimet është Aldo Gjini, i njohur me nofkën “Bjondi”. Roli i tij ishte pikërisht vendosja e shenjave dalluese në pakot e aluminit, përpara se ato të përdoreshin për transport. Ai u arrestua gjatë operacionit të posaçëm dhe rezulton me të shkuar kriminale në trafik droge, armësh dhe tentativë vrasjeje.
Nga dosja del se anëtarët e grupit koordinonin bashkë ngarkesat e drogës dhe përfshinin edhe persona të tjerë, të cilët i identifikonin me pseudonime si “Kruja”, “Venecia”, “Bruxel”, “Detroit USA”, “Rrushi”, “Plaku”, “979” e të tjera.
Operacioni i zhvilluar më 10 dhjetor çoi në ekzekutimin e 10 prej 14 masave të arrestit të lëshuara. Grupit i është caktuar masa “arrest me burg” për disa nga të dyshuarit kryesorë.
Gjatë kontrolleve në banesa u sekuestruan shuma të mëdha në lekë dhe valuta të huaja, automjete luksoze, armë, ora të markave të shtrenjta dhe dokumente të rëndësishme për vijimin e hetimeve.
SPAK e akuzon grupin për trafikim të lëndëve narkotike në formën e bashkëpunimit të strukturuar kriminal.


