Dosja e call center-ave me 15 milionë euro dëm kthehet për rigjykim, Apeli rrëzon vendimin e GJKKO-së

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka prishur vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë për një nga dosjet më të mëdha të mashtrimit përmes call center-ave, ku dëmi i shkaktuar arrinte në rreth 15 milionë euro, duke e kthyer çështjen për rigjykim me një trupë tjetër gjykuese.

Vendimi u shpall këtë të enjte, pas shqyrtimit të ankimimeve të të pandehurve Jusel Mici dhe Mendim Domi, të cilët ishin dënuar më 17 qershor 2025 nga GJKKO për një sërë veprash penale, përfshirë mashtrim kompjuterik, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash.

Në vendimin e shkallës së parë, Jusel Mici ishte dënuar përfundimisht me 8 vite burg, ndërsa Mendim Domi me 7 vite e 4 muaj burg, pas bashkimit të dënimeve dhe aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Po ashtu, gjykata kishte urdhëruar konfiskimin e dhjetëra pasurive të paluajtshme, tokave, llogarive bankare dhe sendeve të sekuestruara gjatë hetimeve, si produkte të veprimtarisë kriminale.

Megjithatë, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se vendimi i shkallës së parë duhet të prishet dhe çështja të shqyrtohet sërish nga një kolegj tjetër i së njëjtës gjykatë, duke e rikthyer procesin në pikën e rigjykimit.

Sipas vendimit të shpallur, kundër kësaj vendimmarrjeje lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda afatit ligjor 20-ditor, duke nisur nga dita pas njoftimit të vendimit.

Dosja e call center-ave konsiderohet një nga rastet më të rënda të mashtrimit ndërkombëtar të zbuluar në Shqipëri vitet e fundit, me viktima kryesisht shtetas të huaj dhe me një skemë të sofistikuar mashtrimi përmes platformave online dhe thirrjeve telefonike. Rikthimi i çështjes për rigjykim pritet të zgjasë më tej procesin gjyqësor për këtë aferë të rëndë financiare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033