Dosja e AKSHI-t, dalin pamje dhe biseda nga takimet mes Agasit, Beqirit dhe Karçanajt

Në dosjen hetimore që po shqyrtohet nga Prokuroria e Posaçme për çështjen e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, janë dokumentuar pamje filmike dhe biseda të zhvilluara mes biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, si dhe drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, të cilët dyshohen se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas materialeve hetimore, takimet janë regjistruar me kamera të instaluara në ambientet e një zyre private, të lidhura edhe me pajisje celulare. Në dosje janë përfshirë dhjetëra episode takimesh dhe bisedash, të zhvilluara përgjatë vitit 2023 dhe në muajt pasardhës.

Në disa prej këtyre bisedave, të administruara si prova materiale, diskutohen çështje që lidhen me ndikimin, informacionin dhe pozicionin e personave të përfshirë. Në një prej episodeve, sipas dosjes, theksohet rëndësia e informacionit si mjet ndikimi, ndërsa në një tjetër flitet për pozicionin e fortë që, sipas bisedës, kishin arritur personat në fjalë.

Në një takim tjetër, ku e pranishme rezulton edhe drejtoresha e AKSHI-t, përmendet përgatitja e një kallëzimi penal ndaj një personi të identifikuar në bisedë si “Nardi”, me pretendimin se ky i fundit kishte nxjerrë informacione të klasifikuara. Sipas pamjeve filmike, pas këtij diskutimi, drejtoresha e AKSHI-t largohet nga ambienti. Ky episod rezulton të jetë regjistruar më 16 mars 2024, rreth orës 20:05.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme ka vendosur vijimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe për zv.drejtoreshën Hava Delibashi. Për disa biznesmenë të tjerë të përfshirë në çështje, është lënë në fuqi masa e ndalimit për të dalë jashtë vendit. Për një tjetër zyrtar policor është hequr ndalimi për daljen jashtë shtetit, por ka mbetur në fuqi pezullimi nga detyra.

Për dy të pandehurit kryesorë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të akuzuar për një sërë veprash penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tendera, konkurrencën e paligjshme, heqjen e paligjshme të lirisë, pastrimin e produkteve të veprës penale dhe grupin e strukturuar kriminal, seanca për verifikimin e masave të sigurisë pritet të zhvillohet pas mundësimit të ndalimit të tyre.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, personat nën hetim dyshohet se kanë ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera publikë, duke i detyruar të tërhiqen nga ankimimet, me qëllim favorizimin e subjekteve të paracaktuara në procedurat e prokurimit.

AKSHI konsiderohet një nga institucionet më sensitive në vend, pasi administron sistemet kryesore të qeverisjes digjitale dhe shërbimeve elektronike për qytetarët. Hetimet e deritanishme hedhin dritë mbi dyshime serioze për abuzim me fondet publike dhe përdorim të paligjshëm të informacionit, ndërsa ngritin edhe shqetësime mbi ndikimin e këtyre veprimeve në sigurinë dhe funksionimin e institucioneve shtetërore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033