Dosja Berberi në gjykatë, SPAK godet skemën e tenderave dhe çon në akuzë edhe Belinda Ballukun

Prokuroria e Posaçme ka dorëzuar për gjykim dosjen ndaj ish-kreut të ARRSH-së, Evis Berberi, një prej emrave kyç në hetimet për abuzime me tendera publikë. I arrestuar më 13 mars 2024 me urdhër të Gjykatës së Posaçme, Berberi përballet me akuza për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Në seancën e fundit, ai kërkoi gjykim të shkurtuar dhe sulmoi procedurën hetimore, duke pretenduar se aktet janë të pavlefshme, se korrespondenca është fshirë dhe se të dhënat nga celularët e sekuestruar nuk mund të përdoren si prova. Sipas mbrojtjes, sekuestrimi i telefonave është bërë vetëm me urdhër prokurori, pa vendim gjykate, gjë që, sipas tyre, bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ish-ortaku i tij, Valter Begaj, si dhe kompanitë “DAAM” sh.p.k. dhe “Net Group” kërkuan kthimin e dosjes për hetime të mëtejshme. Begaj u përpoq të distancohej nga akuzat, duke dhënë shpjegime të gjata për pronësinë formale të “DAAM”-it, teksa SPAK pretendon se ajo kontrollohej në prapaskenë nga Berberi dhe fitonte tendera pikërisht tek institucionet që ai drejtonte.

Sipas Prokurorisë, Berberi, fillimisht si Drejtor i Efiçencës së Energjisë, ka zhvilluar tre tendera me vlerë rreth 1.2 milionë euro, të fituar nga “DAAM” sh.p.k., kompani e drejtuar nga Valter Begaj, por e zotëruar de facto nga vetë Berberi. Më tej, kur kaloi në krye të ARRSH-së, e njëjta kompani ka marrë edhe tre tendera të tjerë, me vlerë afërsisht 1 milion euro. Paratë që lëviznin mes “Net Group” dhe “DAAM”-it dyshohet se janë përdorur për të blerë pasuri të paluajtshme, duke ngritur dyshime për pastrim parash. Prokurorët vërejnë se transaksionet përkojnë në kohë me tenderat që “Net Group” ka fituar nga Agjencia e Efiçencës së Energjisë dhe ARRSH, me një total mbi 2.7 milionë euro me TVSH.

Pikërisht nga të dhënat e zbuluara në celularët e sekuestruar në banesën e Berberit, SPAK ka hapur edhe pista të reja hetimi që çuan në akuzimin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Ajo akuzohet për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në dy nga procedurat më të mëdha të viteve të fundit: ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.

Tenderi për tunelin e Llogarasë, me fond limit afro 190 milionë euro pa TVSH, u hap më 11 dhjetor 2020 dhe u mbyll më 12 shkurt 2021, por u anulua me argumentin se asnjë ofertë nuk ishte e përshtatshme. Kur procedura u rihap më 22 qershor 2021, dhe u mbyll më 28 korrik, fitues u shpall bashkimi i dy kompanive turke “Intekar” dhe “Asl” me ofertë 170 milionë euro plus TVSH, megjithëse në fazën e parë, sipas SPAK, kishte pasur ofertë deri në 140 milionë euro. Pikërisht ky diferencim ka ngritur dyshimet se Balluku dhe Gentian Gjyli kanë ushtruar ndikim të padrejtë në proces.

Ngjashëm, edhe tenderi për lotin 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës ka rënë në sitën e SPAK. Procedura u hap më 16 gusht 2021 dhe u mbyll më 16 shtator, ndërsa më 7 tetor 2021 u shpall fitues bashkimi i operatorëve “EUROTEOREMA PEQIN” sh.p.k., “PE-VLA-KU” sh.p.k. dhe “NOVA Construction 2012” sh.p.k., me ofertë 23.8 milionë euro me TVSH. Sipas të dhënave të Openprocurment, të gjithë operatorët e tjerë u skualifikuan, edhe pse disa prej tyre kishin oferta deri në 5 milionë euro më të ulëta se fituesi. Edhe kontrata e supervizimit të këtij loti dyshohet se është abuzive dhe po hetohet.

Belinda Balluku, aktualisht e pezulluar nga funksionet, është “zhveshur” nga pushteti me vendim të Gjykatës së Posaçme, ndërkohë që i është ndaluar edhe dalja jashtë vendit. Kryeministri Edi Rama i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar pezullimin e saj, ndërsa Apeli i Posaçëm pritet të caktojë datën e shqyrtimit të ankimimit të saj dhe të dy vartësve, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, të cilët ndodhen në “arrest shtëpie”.

Në qendër të kësaj dosjeje që po zgjerohet nga dita në ditë mbetet figura e Evis Berberit, i cilësuar si nyja lidhëse mes tenderave të dyshuar, transfertave të parave dhe dy akuzave të rënda që tashmë rëndojnë edhe mbi numrin dy të qeverisë.

Ndaj Postimin: