Dosja “Bankers Petroleum”: GJKKO liron nga qelia CEO-n Hongping Xiao, masa zbutet në arrest shtëpie

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur lirimin nga qelia të CEO-s kinez të kompanisë “Bankers Petroleum”, Hongping Xiao, duke e zëvendësuar masën e sigurisë me “arrest shtëpie”. Vendimi është marrë në kuadër të hetimeve për evazion fiskal që po zhvillohen ndaj kompanisë naftënxjerrëse.

Ky vendim vjen vetëm pak ditë pasi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, GJKKO miratoi zgjatjen me tre muaj të afateve hetimore për dosjen “Bankers”. Sipas SPAK, shtyrja është kërkuar për shkak të nevojës për kryerjen e veprimeve të tjera hetimore, të diktuara nga kompleksiteti i çështjes.

Hongping Xiao ishte i vetmi i pandehur në këtë dosje që ndodhej në masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa të pandehurit e tjerë janë subjekt i masave më të buta, kryesisht “arrest shtëpie”. Me vendimin e fundit, të gjithë të përfshirët në çështje nuk ndodhen më në paraburgim.

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme lidhen me deklarime të dyshimta tatimore dhe shmangie të detyrimeve financiare për periudhën 2004–2024, të cilat dyshohet se kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm në buxhetin e shtetit. Sipas organit të akuzës, “Bankers Petroleum” ka realizuar shitje dhe eksporte nafte në vlerën totale prej 532 miliardë lekësh, ndërsa ka deklaruar humbje në çdo vit, me një total prej 11.7 miliardë lekësh, duke shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin dhe duke përfituar rimbursime të dyshimta të TVSH-së.

Në zhvillimet më të fundit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka bllokuar aktivitetin e “Bankers Petroleum” për shkak të një gjobe prej 120 milionë eurosh, e vendosur në vitin 2019. Gjobë që lidhet me mosshlyerjen e 30 milionë eurove akcizë për holluesin e naftës dhe që, sipas autoriteteve, mbetet ende e papaguar.

Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa SPAK po punon për dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale dhe financiare që lidhen me aktivitetin e kompanisë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033