Dosja “5D”: Dënimi me burg pezullohet, 5 ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës në provë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka dhënë vendimin për pesë të pandehur në dosjen e njohur si “5D”, duke i shpallur fajtorë për veprën penale “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Të dënuarit janë Eglantina Zere, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Tirana Parking”, si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave: Enkelejda Qyta, Bruno Koçi, Rivjola Baxha dhe Kristo Zhulati.

Sipas vendimit, secili prej tyre është dënuar fillimisht me 9 muaj burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi është ulur me 1/3, duke u konvertuar në 6 muaj burgim për secilin.

Megjithatë, Apeli ka vendosur që ekzekutimi i dënimit me burg të pezullohet dhe të pandehurit të vihen në shërbim prove për 12 muaj, me detyrimin që gjatë periudhës së provës të mos kryejnë vepër tjetër penale dhe të mbajnë kontakte me Degën Territoriale të Shërbimit të Provës në Tiranë, duke iu përgjigjur thirrjeve të organeve të mbikëqyrjes.

Përveç kësaj, gjykata ka vendosur edhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vjet për secilin prej të dënuarve.

Në bazë të akuzës, të pandehurit kanë avantazhuar “5D” në një procedurë prokurimi të lidhur me rikonstruksionin e sheshit të parkimit te “Selman Stërmasi”, në tetor 2019.

Gjykata ka vendosur gjithashtu që shpenzimet procedurale dhe gjyqësore t’u ngarkohen të pandehurve në mënyrë solidare, ndërsa është parashikuar edhe e drejta e ankimit brenda afatit ligjor.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033