Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, ka deklaruar se plani i paqes prej 24 pikash i propozuar për Ukrainën nuk është një ofertë përfundimtare dhe se synimi kryesor i tij është arritja e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Jo, nuk është oferta ime e fundit. Do të donim të arrinim paqen. Duhet të kishte ndodhur shumë kohë më parë”, tha Trump përpara gazetarëve gjatë një takimi me ish-golfistin Jack Nicklaus në fushën e golfit Joint Base Andrews.
Trump u shpreh se lufta mes dy vendeve nuk duhej të kishte nisur kurrë dhe shtoi se nëse do të kishte qenë President në atë periudhë, konflikti nuk do të kishte ndodhur. “Në një mënyrë apo në një tjetër, kjo luftë duhet të përfundojë,” tha ai.
I pyetur për qëndrimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky nëse nuk pranon planin brenda afatit të përcaktuar deri të enjten, Trump u përgjigj: “Ai mund të vazhdojë të luftojë me gjithë zemër.”
Deklaratat e tij pasojnë diskutimet ndërkombëtare mbi nismat diplomatike për t’i dhënë fund luftës, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe aleatët europianë mbeten në kërkim të një zgjidhjeje të qëndrueshme për krizën e nisur në vitin 2022.


