Jeffrey Epstein, miliarderi amerikan i dënuar për krime seksuale, rezulton të ketë qenë i përfshirë në bisedime për blerjen e ishullit grek Scorpio, ish-pronë e Aristotel Onassisit, sipas dokumenteve të publikuara së fundmi nga autoritetet amerikane.
Kontaktet, të zhvilluara nga gushti deri në fund të vitit 2011, tregojnë se Epstein po mblidhte informacione të detajuara mbi ishullin. Megjithatë, bisedimet nuk çuan në një marrëveshje konkrete dhe mbetet e paqartë nëse ai kishte interes personal apo po vepronte në emër të një pale të tretë.
Të dhënat janë pjesë e rreth tre milionë dokumenteve dhe email-eve të deklasifikuara, ku materialet që lidhen me ishullin Scorpio nuk janë censuruar, përveç adresave elektronike të bashkëbiseduesve.
Në korrespondencë përfshihen emra si Boris Nikoliç, ish-bashkëpunëtor i Bill Gates, si dhe Richard Giraud, sipërmarrës francez i pasurive të paluajtshme luksoze. Më 5 gusht 2011, Giraud i dërgoi Nikoliç informacion mbi ishuj privatë në Greqi, të cilat më pas iu përcollën Epstein-it.
Në ditët pasuese, Epstein kërkoi detaje shtesë mbi statusin e privatësisë së ishullit. Ai u informua se Scorpio nuk ishte zyrtarisht në shitje, por ishte plotësisht pronë private, me rezidenca, pistë helikopterësh dhe histori të lidhur me familjen Onassis.
Nga 20 gushti 2011, komunikimet u zhvilluan drejtpërdrejt mes Epstein-it dhe Giraud-it, me përpjekje për të organizuar një vizitë private në ishull. Diskutimet vijuan edhe në muajt pasues, por asnjë plan nuk u realizua.
Dokumentet tregojnë se interesimi i Epstein-it për Scorpio mbeti në nivel informimi dhe eksplorimi, pa u shndërruar në vizitë apo marrëveshje konkrete.