Dokumente false dhe mallra të ndaluara, operacion në Rinas çon në 7 arrestime

Një operacion i Policisë Kufitare në aeroportin e Rinasit ka zbuluar tentativa të shumta për shkelje të ligjit, duke çuar në arrestimin e gjashtë shtetasve kinezë dhe një shtetaseje bjelloruse.

Sipas autoriteteve, gjashtë shtetas kinezë u kapën në përpjekje për të kaluar kufirin me dokumente të falsifikuara. Ata kishin paraqitur pasaporta të Hong Kongut, të cilat pas verifikimit laboratorik rezultuan të falsifikuara. Të arrestuarit janë M. B., 29 vjeç, X. Zh., 66 vjeç, Zh. W., 52 vjeç, H. J., 45 vjeç, W. Zh., 38 vjeç dhe G. H., 43 vjeçe.

Në një rast të veçantë, Policia Kufitare arrestoi edhe shtetasen A. W., 45 vjeçe, me shtetësi bjelloruse, e cila po hynte në Shqipëri nga Treviso. Gjatë kontrollit të vijës së dytë, në bagazhet e saj u gjetën produkte estetike si botoks dhe fillera, mallra të cilat kërkojnë licencë dhe kushte të veçanta transporti, që ajo nuk i dispononte.

Autoritetet sekuestruan dokumentet e falsifikuara dhe mallrat e ndaluara, ndërsa shtetasja bjelloruse u arrestua për kontrabandë me mallra të ndaluara dhe të licencuara.

Policia Kufitare ka bërë të ditur se kontrollet në Rinas do të vijojnë me intensitet të shtuar, me qëllim parandalimin e shkeljeve të ligjit dhe forcimin e sigurisë kufitare. Materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033