Dokumente daneze zbulojnë kërkesa të fshehta amerikane për informacione ushtarake në Groenlandë

Dokumente të brendshme të Ministrisë daneze të Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura tregojnë se autoritetet daneze kanë shprehur shqetësim për tentativa të Shteteve të Bashkuara për të siguruar informacione ushtarake mbi Groenlandën, jashtë kanaleve zyrtare dhe pa përfshirjen e Kopenhagenit.

Sipas gazetës daneze Berlingske, e cila ka pasur akses në dokumente të vitit 2025 të redaktuara për arsye të sigurisë kombëtare, një ushtarak amerikan ka kontaktuar në mënyrë informale Komandën e Arktikut, strukturë përgjegjëse për mbrojtjen e Groenlandës, duke kërkuar të dhëna mbi instalime ushtarake, porte dhe baza ajrore.

Kontaktet dyshohet se kanë ndodhur jashtë institucioneve përkatëse daneze, përfshirë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Ministrinë e Mbrojtjes. Kërkesa e parë është bërë më 16 janar 2025, ndërsa një kërkesë e dytë për informacion shtesë është raportuar më 26 janar të po atij viti, çka ka bërë që Ministria e Mbrojtjes të informohet menjëherë për shkak të ndjeshmërisë strategjike të situatës.

Dokumentet tregojnë se për këtë çështje është vënë në dijeni edhe udhëheqja më e lartë ushtarake e Danimarkës, përfshirë Shefin e Mbrojtjes. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse informacionet e kërkuara iu dorëzuan realisht palës amerikane dhe, nëse po, çfarë përmbajtjeje kishin ato.

Zhvillimet vijnë në një klimë tensioni në rritje, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-të synojnë të marrin kontrollin e Groenlandës. Së fundmi, ai ka paralajmëruar edhe vendosjen e tarifave ndaj Danimarkës dhe disa vendeve evropiane për shkak të mosmarrëveshjeve mbi këtë çështje.

Ministria daneze e Mbrojtjes nuk ka pranuar të komentojë mbi dokumentet, ndërsa Ambasada amerikane në Kopenhagen ka deklaruar se dialogu dhe kontaktet me partnerët në Groenlandë dhe Danimarkë janë pjesë normale e bashkëpunimit për sigurinë e aleancës dhe të Arktikut.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033