Policia e Tiranës ka identifikuar dhe arrestuar një 28-vjeçar, i dyshuar si autor i djegies së qëllimshme të automjetit të një 26-vjeçareje, ngjarje e ndodhur në orët e para të datës 6 mars 2026 në rrugën “Theodhori Bej”.
Sipas të dhënave zyrtare, automjeti tip “Peugeot”, në pronësi të shtetases M. T., 26 vjeçe, u përfshi nga flakët rreth orës 02:00. Pas njoftimit për rastin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 nisën veprimet hetimore dhe operacionale për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar autorin.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Fire Trail”, u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi L. H., 28 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë, ai dyshohet se e ka kryer djegien për motive të dobëta, të lidhura me një konflikt të mëparshëm me një familjar të 26-vjeçares.
Materialet procedurale për këtë ngjarje i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.