Policia e Durrësit ka bërë të ditur se zjarri masiv i rënë një ditë më parë në lagjen nr. 15 të qytetit, në parkun e autobusëve të sektorit “Rinia”, pranë zonës së njohur si “Eco Park”, është referuar në Prokurori si ngjarje aksidentale.
Sipas njoftimit zyrtar, nga flakët u përfshinë dhe u dogjën tetë autobusë, të cilët ndodheshin jashtë funksionit në momentin e ngjarjes. Ngjarja u raportua ditën e djeshme, duke shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja për njerëzit.
Nga veprimet e para hetimore, policia dyshon se zjarri është shkaktuar si pasojë e një shkëndije elektrike në baterinë e njërit prej autobusëve, e cila më pas ka përhapur flakët edhe te mjetet e tjera të parkuara pranë.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për vlerësim të mëtejshëm, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.