Niveli i ulët i ujit dhe ndotja ekstreme po e shkatërrojnë Lagunën e Karavastasë, duke kërcënuar peshqit, shpendët dhe gjithë ekosistemin unik të saj.
Laguna e Karavastasë, një nga pasuritë më të çmuara natyrore të Shqipërisë, po përballet me një krizë të rëndë mjedisore. Uji është tkurrur ndjeshëm, ndërsa pamje të rënda tregojnë peshq të ngordhur dhe një mjedis që po shkon drejt degradimit.
Shkaktarët kryesorë janë reduktimi i prurjeve të ujit të ëmbël nga rezervuari i Thanës dhe bllokimi i grykës që e lidh lagunën me detin, si pasojë e grumbullimit të rërës. Kjo ka shkaktuar mungesë qarkullimi të ujit dhe ndotje të rritur.
Ekosistemi po shpërbëhet me shpejtësi. Algat po mbulon sipërfaqen e ujit, duke ulur oksigjenin, ndërsa specie të tëra, përfshirë shpendë të rrallë si pelikani kaçurrel dhe flamingot, rrezikojnë të humbasin habitatin.
Pamjet e transmetuara nga TV Apollon tregojnë ujë të ndotur, kanale të bllokuara dhe tokat përreth lagunës që çdo ditë mbeten të thata, duke u kthyer në plasaritje të mëdha të tokës.
Ekspertët dhe qytetarët i bëjnë thirrje autoriteteve të veprojnë menjëherë. Zgjidhja kërkon vetëm disa ekskavatorë për hapjen e grykës drejt detit dhe lëshimin e ujit nga rezervuari i Thanës, para se të jetë tepër vonë.
Laguna e Karavastasë nuk është thjesht një atraksion turistik, por një element kyç i biodiversitetit shqiptar. Çdo ditë e humbur në ndërhyrje e afron më pranë shuarjes përfundimtare.
Përgatiti: Gazetari Ndriçim Gjoshi