Dita ndërkombëtare e Gjuhës Amtare: Begaj thekson rëndësinë e gjuhës shqipe për identitetin kombëtar

Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përcjellë një mesazh të rëndësishëm për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, veçanërisht nga shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut.

Ai theksoi se gjuha shqipe mbetet një nga elementët më të rëndësishëm të identitetit kombëtar dhe se ruajtja e saj nga mërgimtarët është kyçe për forcimin e lidhjeve me traditat dhe kulturën shqiptare.

Përfaqësues të komunitetit shqiptar në Diasporë, nga vende të ndryshme të botës, janë bashkuar me nismën e Presidentit, duke u angazhuar për ruajtjen e gjuhës amtare ndër breza. Ata e bëjnë këtë duke pasur parasysh diversitetin gjuhësor dhe kulturor, si dhe rëndësinë e shumëgjuhësisë që ndihmon në integrimin dhe respektimin e identiteteve të ndryshme.

Në këtë ditë të veçantë, një grup fëmijësh shqiptarë të Diasporës interpretuan vargjet e poezisë “Gjuhës Shqipe” të Mitrush Kutelit, poet dhe shkrimtar i njohur. Poezia e tij përçoi mesazhin e dashurisë dhe përkushtimit ndaj gjuhës shqipe, një gjuhë që ai e kultivoi dhe e mbrojti me pasion. Kuteli ka lënë pas një trashëgimi të pasur, jo vetëm në letërsi, por edhe në promovimin e librit shqip për mërgimtarët, duke ndihmuar ata të ruajnë lidhjet me atdhenë dhe gjuhën e tyre.

Presidenti Begaj, gjatë fjalës së tij, theksoi angazhimin e vazhdueshëm të shtetit shqiptar për të mbështetur mërgimtarët dhe për të krijuar mundësi edukimi për fëmijët e tyre nëpërmjet hapjes së shkollave shqipe nëpër botë. Kjo përpjekje është jetike, sipas tij, për të ruajtur gjuhën shqipe si një aset të çmuar dhe të pasur të kulturës shqiptare.

Përkushtimi i mërgimtarëve dhe angazhimi i institucioneve për të siguruar që brezat e ardhshëm të flasin shqip është thelbësor për mbijetesën dhe zhvillimin e gjuhës. Presidenti i Republikës e përmendi këtë përpjekje si një mision kombëtar, duke theksuar se gjuha shqipe është një nga tiparet më të rëndësishme që bashkon shqiptarët, kudo ku ata ndodhen.

Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare këtë vit kremtohet si Jubile i Argjendtë, duke shënuar 25 vjetorin e celebrimit të saj global. Kjo ngjarje ka për qëllim promovimin e diversitetit gjuhësor, mbrojtjen e gjuhëve të rrezikuara dhe inkurajimin e edukimit shumëgjuhësor, duke i dhënë një hov më të madh përpjekjeve për të mbajtur gjuhët e popujve të ndryshëm të gjalla dhe të fuqishme.

Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e gjuhëve për ruajtjen e identiteteve dhe kulturave, dhe për të forcuar angazhimin global për ruajtjen e pasurive të pakufishme kulturore që ato përfaqësojnë.

Ndaj Postimin: