Dita e gjashtë e protestave në Divjakë kundër reformës territoriale, pjesëmarrja në rënie mes thirrjeve për ruajtjen e bashkisë.

Dita e gjashtë e protestave në Divjakë kundër reformës territoriale, pjesëmarrja në rënie mes thirrjeve për ruajtjen e bashkisë.

Kanë hyrë në ditën e gjashtë protestat e organizuara në Bashkinë Divjakë kundër propozimeve për reformën e re territoriale, ku një nga skenarët e diskutuar parashikon bashkimin e kësaj bashkie me Bashkinë Lushnjë.

Një pjesë e qytetarëve vijojnë të dalin çdo ditë në shesh, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare që Bashkia Divjakë të ruajë statusin e saj si njësi e pavarur e qeverisjes vendore. Megjithatë, krahasuar me ditët e para, pjesëmarrja në protestë është zvogëluar.

Gjatë protestës janë shënuar edhe veprime simbolike politike. Disa pjesëmarrës, të cilët u identifikuan si anëtarë të Partisë Socialiste, dogjën kartat e anëtarësisë, duke deklaruar se ky ishte një akt kundërshtimi ndaj mënyrës se si po trajtohet çështja e reformës territoriale.

Në protestë ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea. Gjatë fjalës së tij para protestuesve, ai përdori edhe termin “-Ushnja” kur iu referua qytetit të Lushnjës, një formulim që ka ngjallur reagime dhe është cilësuar nga kritikët si mungesë respekti ndaj një qyteti me histori të rëndësishme kombëtare.

Ndërkohë, protesta vijon të mbështetet nga një pjesë e administratës vendore, ndërsa punonjës të tjerë të Bashkisë Divjakë kanë vijuar normalisht punën në institucion, pa u bërë pjesë e tubimeve.

Debati për reformën territoriale mbetet i hapur. Deri në këtë fazë, nuk ka një vendim përfundimtar, ndërsa institucionet kanë bërë të ditur se procesi do të shoqërohet me dëgjesa dhe konsultime publike përpara çdo vendimmarrjeje.

Protestuesit shprehen se do të vijojnë tubimet e tyre në ditët në vijim, duke kërkuar që zëri i komunitetit të merret në konsideratë në procesin e reformës administrative.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033