Diskriminimi i Banorëve të Fshatit Kryekuq nga Pushteti Lokal: Banorët kërkojnë Investime në Infrastrukturë

Banorët e fshatit Kryekuq, në bashkinë e Divjakës, kanë ngritur shqetësimin e tyre për mungesën e investimeve në rrugët hyrëse dhe ato të brendshme të lagjeve. Sipas tyre, ky është një diskriminim i vazhdueshëm nga drejtuesit aktualë të bashkisë, të cilët, sipas banorëve, kanë lënë pas dore nevojat e këtij fshati për përmirësimin e infrastrukturës.

Një prej banorëve të fshatit, zoti Shefit Kaja, shprehu indinjatën e tij ndaj politikës dhe pushtetit vendor. Ai akuzoi drejtuesit e bashkisë për mosinvestim dhe për mungesën e vëmendjes ndaj nevojave të qytetarëve të Kryekuqit. Sipas tij, kjo është një dhimbje e vazhdueshme për banorët, të cilët po përballen me kushte të vështira për të jetuar dhe për t’u lidhur me pjesën tjetër të komunës.

Në këtë ngjarje, i pranishëm ishte edhe kandidati për deputet i kualicionit “Shqipëria Bëhet” për zgjedhjet e 11 majit në qarkun Fier dhe bashkinë Divjakë, Patrik Çoku. Ai komunikoi me banorët e fshatit dhe e cilësoi situatën si një pasqyrë të vështirë për fshatrat e këtij rajoni, ku, sipas tij, ka pasur një diskriminim të theksuar nga politika drejtuese e bashkisë.

“Ky është një fshat që ka vuajtur dhe ende po vuan nga diskriminimi i politikës drejtuese, që nuk ka vëmendjen e duhur për të investuar në zhvillimin e tij,” tha Çoku. Ai theksoi se do të angazhohet për të ndryshuar këtë realitet, duke kërkuar investime urgjente për rrugët dhe infrastrukturën e fshatit.

Banorët e Kryekuqi kërkojnë një vëmendje më të madhe nga pushteti lokal dhe kanë apeluar për të drejtat e tyre, duke kërkuar që rrugët e fshatit të rregullohen dhe të mundësohen kushte më të mira për jetesën dhe zhvillimin e komunitetit të tyre.

Për këtë situatë ka raportuar gazetari i TV Apollon, Ndriçim Gjoshi, i cili ka ndjekur ngjarjen dhe ka bërë të ditur shqetësimet e qytetarëve për gjendjen e infrastrukturës në këtë fshat bregdetar.

Me zgjedhjet që po afrojnë, banorët shpresojnë se situata do të marrë një drejtim të ri dhe se politikanët që do të dalin fitues do të angazhohen për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe zhvillimin e infrastrukturës në këtë fshat të rëndësishëm të Divjakës.

Ndaj Postimin: