E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, është takuar me kryetarin e Partisë Mundësia, Agron Shehaj, për të diskutuar vizionin politik të forcës së tij dhe perspektivat për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Shqipërinë.
Në njoftimin e Ambasadës Amerikane theksohet se biseda u përqendrua tek roli i rëndësishëm i një opozite të angazhuar dhe funksionale në forcimin e demokracisë. Sipas ambasadës, SHBA mbetet e përkushtuar të punojë me drejtues të të gjitha forcave politike në vend, për të avancuar objektivat e përbashkëta të sigurisë dhe bashkëpunimit dypalësh.
Takimi vjen në një periudhë dinamike të zhvillimeve politike në Shqipëri, ku roli i opozitës dhe funksionimi i institucioneve demokratike mbeten çështje thelbësore për partnerët ndërkombëtarë.


