Dimal/ Pasojat e përmbytjeve në Çiflik: Serat dhe tokat ende nën ujë, banorët kërkojnë dëmshpërblim

Fshati Çiflik, në bashkinë Dimal, është një nga zonat më të prekura nga përmbytjet e njëpasnjëshme të muajit dhjetor 2025 dhe fillim janarit 2026. Brenda pak javësh, fshati u përmbyt katër herë, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi.

Edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj nga përmbytja e fundit, dhjetëra hektarë me sera, toka bujqësore dhe pemë frutore vijojnë të jenë me prezencë uji, çka ka sjellë shkatërrimin pothuajse total të prodhimit për banorët e zonës.

Në sera, të cilat ende nuk janë tharë plotësisht, niveli i ujit arriti deri në 1 metër. Si pasojë, u shkatërruan bimët që ndodheshin në fazën e vjeljes, ndërsa mbjellja e fidanëve të rinj është e pamundur pa u tharë tërësisht toka.

Të njëjtin fat kanë pasur edhe prodhimet në tokat bujqësore. Shumë pemë frutore vazhdojnë të qëndrojnë në ujë, duke rrezikuar tharjen dhe dëmtimin e përhershëm të tyre.

Fermerët e zonës pohojnë se dëmet janë të pallogaritshme dhe se situata kërcënon drejtpërdrejt ekonominë e familjeve të tyre, e cila mbështetet kryesisht te prodhimi i serave dhe tokave bujqësore.

Banorët theksojnë se humbjet në kulturat bujqësore dhe pemëtari janë të konsiderueshme dhe kërkojnë mbështetje financiare nga autoritetet për të përballuar pasojat e përmbytjeve. Sipas tyre, ndonëse dëmet janë verifikuar, deri tani nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti.

Ata bëjnë apel për dëmshpërblim, duke theksuar se rikuperimi i tokës dhe nisja e një cikli të ri prodhimi do të jetë i mundur vetëm pas 2–3 muajsh, kur toka të thahet plotësisht.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033