Dilemat e epokës Trump

Nga Dr Adil MUSTAFA
N/kryetar dhe zëdhënës i PL.Ilirida

Para disa ditësh, bota mbajti frymën! Trump apo Harris?! Ekuacioni u zgjidh, republikanët fituan bindshëm, madje në mënyrë të trefishtë. Presidentin, Dhomën e Kongresit dhe Senatin. Para, tash dhe më pas, do të shkruhet, komentohet, debatohet, do hidhen në treg teori konspiracioni lidhur me befasinë Trump, ose më saktë me fitoren jashtë çdo parashikimi.

Në këtë aspekt nuk kam përse të hyj në analizë të mirëfilltë. Pse? Për arsyen e thjeshtë, janë mediat prestigjioze, personalitet botërore, mendimtarë e analistë, studiues e shkencëtarë, politikologë e filozofë që do të japin idetë e tyre lidhur me fenomenin e zgjedhjeve në SHBA-në. Unë modestisht do të përpiqem që të ngre disa hipoteza lidhur me atë çka ndodhi në këto zgjedhje në SHBA? Çfarë pritet të ndodhë me epokën Trump? Sa peshë kanë rregullat dhe standardet demokratike dhe a qëndron fuqia ekonomike më lart sesa vetë demokracia?

Pse Evropa shfaq skepticizëm, a do të përdoret “benzina”, apo “uji” në vatrat e konflikteve dhe luftërave? Çfarë do të ndodhë me Ballkanin, shqiptarët në përgjithësi dhe Kosovën në veçanti? Epoka Trump nuk mund të parashikohet që tani, por duke iu referuar fjalimeve dhe deklaratave të tij, një gjë është e sigurt, shumë gjëra nuk do të jenë më si deri më tash. Një tjetër çështje që u shfaq në këto zgjedhje ishte mënyra sesi u prit në Evropë zgjedhja e Presidentit Trump. Është fakt që shumë vende evropiane e shohin Administratën Trump me skepticizëm.

Kjo ndodh për shkak se koncepti i Trumpit është: boll kemi punuar dhe investuar për të tjerët, tash ata duhet të punojnë për ne! E kam fjalën për tarifat e mallrave, apo për taksën që secili shtet duhet të paguajë … për shembull për Naton. Lexoni deklaratën e Presidentit francez Macron i cili shprehet: “Të zgjohemi, të mbrojmë Evropën. Të mos delegojmë sigurinë tonë te amerikanët”. Mjafton kjo deklaratë për të kuptuar se ndodhemi të një tjetër epokë.

Amerika do të jetë në funksion të kombit të saj duke forcuar ekonominë, duke frenuar emigracionin e paligjshëm, duke rritur tarifat dhe taksat për pjesën tjetër të botës. Me një fjalë, Amerika nën udhëheqjen e Trump do t’i tregojë botës jemi NE që diktojmë politikat botërore, që ndalim luftërat, që rrisim standardin ekonomik dhe që përhapim vlerat demokratike anekënd globit. Në fakt, filozofia Trump më së paku duhet parë si dritë shprese për popujt e shtypur, për ata që vuajnë nga konfliktet e luftërat, për ato vende ku zien krimi e korrupsioni. Në këtë drejtim e shoh me shumë pozitivitet vizionin e Presidentit Trump.

Ajo që më ra në sy tek këto zgjedhje ishte fuqia ekonomike e cila ishte mbizotëruese, ndaj platformave e programeve politike e kombëtare. D.m.th. nëse futemi tek mënyra sesi u krye fushata dhe kush triumfoi në këto zgjedhje në SHBA, dalim në një konstatim që ekonomia mbizotëroi ndaj demokracisë. Të gjithë analistët dhe vëzhguesit arritën në konkluzionin se fuqia ekonomike e i zbehu vlerat demokratike.

Kur flasim për zgjedhjet në Amerikë, ashtu si kombet e shtete të tjera, edhe kombi shqiptar ishte totalisht i përqendruar. Kjo është e vetëkuptueshme, sepse për ne shqiptarët, Amerika ka qenë shpëtimi, mbetet aleati ynë strategjik dhe do të jetë mbrojtëse e kombit shqiptar. Tash dihet botërisht që shqiptarët janë kombi më pro amerikan në botë. Në këtë aspekt nuk kam asnjë dyshim, që pavarësisht se kush është President i SHBA-ve, kurrë nuk do të ndryshojë mbështetja ndaj shqiptarëve.

Amerika, në fakt të gjitha Administratat kanë treguar se e duan kombin shqiptar, që kanë investuar për të krijuar kombin e shtetin që na dhanë tapinë e pavarësisë së Kosovës e që po e pastrojnë Shqipërinë nga korrupsioni e krimi i organizuar. Andaj edhe tash e tutje unë vlerësoj se politika amerikane nuk do të ndryshojë ndaj kombit shqiptar, por do të jetë më efikase dhe më përkrahëse për vlerat demokratike.

Çështja është diku tjetër, a do të përfitojnë qarqet antishqiptare të riaktivizojnë teza territoresh, dhe a do të përpiqet Serbia ta përdorë fitoren e Trump si trampolinë për të ndjekur politika shoviniste? Unë mendoj se këto përpjekje do të dështojnë sepse kam bindjen e madhe se Trump dhe Administrata e tij do të ndjekin logjikën e deritanishme: paqe, stabilitet, prosperim, jo konflikte e luftë. Kjo vlen edhe për Ballkanin në tërësi.

Në këtë shkrim nuk mund të lë pa përmendur Rusinë. Më saktë, mënyra sesi Putin e priti fitoren e Trump?! Nuk ishte ndër të parët që e uroi, priti dhe më pas lëshoi një deklaratë duke e konsideruar Trump… burrë…. Tash ka shumë pikëpyetje sesi do të zhvillohen ngjarjet, cilat do të jenë marrëdhëniet Moskë-Uashington, sesi do të jetë marrëdhënia Trump-Putin, sesi do të shkojë halli i Ukrainës etj.

Në këtë aspekt ka dy linja mendimi: nga një anë thuhet në prapaskenë se tash do të jetë një epokë ku do të sundojnë dy superfuqi, SHBA dhe Rusi… duke zbehur peshën e Evropës; në një anë tjetër thuhet se Rusia e Putinit do të hyjë në “shpellën” e saj sepse Trump do t’ia mbyllë rubinetat ekonomike, të tregut, apo të konflikteve. Për në fund, e shoh të nevojshme të jap një gjykim timin se çfarë pritet të ndodhë me Ballkanin, a do të riaktivizohet influenca ruse, ku merr zemër Serbia, apo Epoka Trump do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë kësaj dileme.

Shpresoj dhe besoj variantin e dytë: serbët e sllavët të mos shohin ëndrra me sy hapur sepse askush nuk guxon të bëjë lojëra me investimin dhe imazhin amerikan. Në këtë pikë duhet të jemi të qartë, Kosova është bekim amerikan dhe pikë. Por, elita politike në Kosovë nuk duhet të flejë gjumë dhe as nuk duhet të bëjë veprime që bien ndesh me rekomandimet e BE-së dhe sidomos të SHBA-së. Qeveria Kurti sot, dhe të tjerat që do të vijnë pas saj, duhet ta kuptojnë se Amerika është si një PRIND sa i dhimbshëm, po aq edhe i RREPTË. Ndaj çdo veprim që bie në kundërshtim me rekomandimet e SHBA-së është i dëmshëm për Kosovën dhe kombin tonë.

Në cilësinë e nënkryetarit të Lëvizjes Ilirida dhe zëdhënësit të saj politik, dua të pohoj se ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht me Administratën Trump. Lëvizja Ilirida e shikon SHBA-në, jo vetëm partner strategjik, por si një prind që na e do të mirën, që na ndihmon për forcimin e demokracisë dhe që na përkrah në forcimin e kombit tonë.

Ndaj Postimin:

Postime të tjera