Diaspora dhe e drejta e votës: Mbi 52 mijë aplikime brenda 11 ditëve

Procesi i regjistrimit të votuesve nga diaspora për zgjedhjet e 11 majit ka gjeneruar një interes të lartë.

Deri më tani, janë regjistruar 52,346 aplikime, ndërsa procesi është ende i hapur edhe për disa ditë.

Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nga totalin e aplikimeve, 41,778 janë shqyrtuar, ndërsa 26,436 prej tyre janë refuzuar. Personat që kanë marrë refuzim kanë të drejtë të riaplikojnë deri në datën 4 mars, që përkon me përfundimin e afatit.

Italia kryeson listën e vendeve me numrin më të madh të aplikimeve, duke përbërë 33.5% të kërkesave. Pas saj renditen Greqia, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe, duke reflektuar përhapjen gjeografike të diasporës shqiptare.

Ndërkohë, emigrantët meshkuj janë dukshëm më aktivë në procesin e regjistrimit krahasuar me femrat, me një raport prej 63.8% kundrejt 36.2%.

Për sa i përket grupmoshave, të rinjtë nga 26 deri në 35 vjeç dominojnë në numrin e aplikimeve, të ndjekur nga grupmosha 36 deri në 45 vjeç. Në anën tjetër, më pak interes është vërejtur tek të rinjtë nga 18 deri në 25 vjeç.

Procesi i regjistrimit nga jashtë mbetet një mundësi e rëndësishme për përfshirjen e diasporës në vendimmarrjen politike të vendit. Me afatin që po afron, pritet që numri i aplikimeve të rritet edhe më shumë në ditët e fundit.

Autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve që plotësojnë kriteret, të mos vonojnë në dërgimin e aplikimeve dhe të përfitojnë nga kjo mundësi për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ndaj Postimin:

Postime të tjera