Një mësuese 58-vjeçare me inicialet M.H. është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve në një shkollë 9-vjeçare në Kamzë.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 kanë ndërmarrë veprimet procedurale për shpalljen në kërkim të saj. Nga hetimet paraprake dyshohet se gjatë procesit mësimor ajo ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj nxënësve.
Policia bën me dije se po punohet për kapjen e 58-vjeçares dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Më herët, Ministria e Arsimit njoftoi shkarkimin e menjëhershëm të mësueses nga detyra. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi se pas publikimit të pamjeve është ngritur një grup i posaçëm për verifikimin e rastit dhe janë ndërmarrë masat ligjore përkatëse.
Sipas saj, përveç largimit nga puna të mësueses, ka nisur edhe një hetim administrativ për të verifikuar përgjegjësitë në zinxhirin drejtues të shkollës.