Dhuna në shkollë: 14-vjeçari ndalohet pas sulmit ndaj nxënëses dhe mësuesit

Një 14-vjeçar u vu në pranga në kolegjin Jules Michelet në Creil, pasi akuzohet se ka goditur një 16-vjeçare dhe ka lënduar një mësues që u përpoq të ndërhynte gjatë incidentit.

Një episod i rëndë dhune është regjistruar në kolegjin Jules Michelet të qytetit Creil në Francë, ku një nxënës 14-vjeçar u ndalua nga policia pas një sulmi brenda mjediseve të shkollës. Ngjarja u bë e ditur nga Prokuroria e Senlis, e cila ka konfirmuar se adoleshenti është marrë në pyetje nën akuzën e “dhunës së rënduar”.

Sipas hetimeve paraprake, i mituri dyshohet se ka goditur disa herë një shoqe klase 16-vjeçare pas një shkëmbimi fjalësh. E dëmtuara është dërguar në spital ku ka marrë trajtimin përkatës, ndërsa fatmirësisht gjendja e saj nuk paraqet rrezik për jetën.

Gjatë incidentit është lënduar edhe një nxënëse tjetër, si dhe një mësues që tentoi të ndërhynte për të ndaluar dhunën. Mësuesi ka marrë disa goditje me grusht dhe është trajtuar nga personeli mjekësor.

Policia ka ndërhyrë menjëherë në ambientet e shkollës dhe ka shoqëruar 14-vjeçarin, i cili sipas prokurorisë konsiderohet ende “i prezumuar i pafajshëm”. Autoritetet kanë bërë të ditur se ai nuk ka patur më herët asnjë precedent penal.

Hetimet po vijojnë në kushtet e flagrancës nga shërbimet e policisë gjyqësore në komisariatin e Creil, të cilat po punojnë për të rikonstruktuar me saktësi ngjarjen dhe motivet e saj.

Rasti ka ngritur shqetësim tek komuniteti shkollor dhe pritet që institucionet arsimore të rishikojnë masat e sigurisë për të parandaluar episode të ngjashme në të ardhmen.

Ndaj Postimin: