Dhuna në Lushnjë dhe Fier trondit opinionin publik

Dy ngjarje të dhunshme kanë tronditur sot Lushnjën dhe Fierin, ku dy kushërinj dhe një 44-vjeçar u arrestuan pasi goditën me sende të forta dhe grushte familjarë e bashkëqytetarë.

Një përleshje e rëndë ndodhi në Lushnjë, në lagjen “Gafurr Muço”, ku dy persona ushtruan dhunë fizike ndaj një qytetari. Policia ndërhyri menjëherë pas njoftimit dhe arrestoi në flagrancë dy autorët e dyshuar, të cilët ishin larguar fillimisht nga vendngjarja.

Sipas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, të arrestuarit janë kushërinjtë E. Zh., 35 vjeç, dhe M. Zh., 31 vjeç, banues në fshatin Qerret i Ri. Ata dyshohen se për motive të dobëta kanë goditur me grushte dhe me sende të forta shtetasin A. Gj., 52 vjeç, nga fshati Jeta e Re. Viktima u dërgua me urgjencë në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në një tjetër rast, në Fier, Policia arrestoi në flagrancë shtetasin O. H., 44 vjeç, banues në Hamil, i cili, sipas burimeve policore, vuan nga probleme të shëndetit mendor. Ai ka goditur me send të fortë babain e tij, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarjet kanë shkaktuar shqetësim në opinionin publik, duke rikthyer në vëmendje rastet e dhunës brenda familjes dhe konfliktet e momentit që shpërthejnë në dhunë fizike. Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin përplasjet dhe të njoftojnë menjëherë autoritetet në rast të situatave të ngjashme.

Të dyja rastet po hetohen për të përcaktuar plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjeve. Materialet hetimore i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme procedurale.

Ndaj Postimin: