Astrit Isufi, i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve Morina, kishte ushtruar më herët dhunë brutale dhe kërcënime ndaj bashkëshortes së tij.
Detaje të reja kanë dalë në dritë për të kaluarën e Astrit Isufit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e dy kunetërve në Malishevë. Dokumentet gjyqësore tregojnë se në prill të vitit 2025 ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për dhunë në familje dhe kanosje. Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar për rrahjen dhe kërcënimin e bashkëshortes, e cila ishte viktima e tij e mëparshme.
Sipas vendimit gjyqësor, më 30 mars 2025, ditën e festës së Bajramit, Isufi e kishte goditur gruan me shuplaka, grushte dhe më pas me kabllo elektrik, duke e tërhequr zvarrë nëpër shtëpi. Ngjarja kishte ndodhur në prani të fëmijëve, madje vajza e tyre kishte ndërhyrë duke iu lutur të atit të ndalonte, me fjalët se “po e mbyste nënën”.
Më vonë, pasi ishte kthyer në shtëpi, ai e kishte kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se nëse do të ndahej nga ai, do t’ia vriste familjen: “Nuk guxon me u nda prej meje, se kam me t’i faru krejt”. Sipas dosjes, gruaja kishte përjetuar ankth të rëndë, frikë dhe pasiguri për jetën e saj dhe të fëmijëve.
Në fillim, Gjykata Themelore e kishte dënuar Isufin me rreth pesë muaj burg dhe me gjoba për dhunë dhe kanosje. Por Gjykata e Apelit e kishte ulur kohëzgjatjen në tre muaj, duke argumentuar se dënimi kishte arritur efektin e përgjegjësisë dhe se një dënim më i butë ishte i mjaftueshëm për parandalim të mëtejshëm.
Në deklarimet e saj, bashkëshortja kishte pohuar se dhuna ishte e vazhdueshme, se ai nuk e lejonte të përdorte telefon dhe se xhelozia ishte arsyeja kryesore e sulmeve. Ajo kishte njoftuar autoritetet disa muaj më parë se Isufi zotëronte armë.
Sot, Astrit Isufi është personi i dyshuar kryesor për vrasjen e dy vëllezërve të gruas së tij në fshatin Gollubovc të Malishevës. Ai u arratis për më shumë se 15 orë dhe u arrestua më 7 nëntor 2025 në fshatin Plloçicë. Aktualisht ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po trajtohet, ndërsa gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë stabile.
Rrethanat e plota të vrasjes ende po hetohen, por dosja e dhunës familjare e vitit 2025 tregon qartë një model të rrezikshëm sjelljeje të dhunshme, i cili ishte sinjal alarmi i injoruar.


