Haiti po përballet me një valë të paprecedentë zhvendosjesh, me mbi një milion persona të detyruar të lënë shtëpitë e tyre si pasojë e dhunës së përshkallëzuar të bandave, raporton Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).
Kjo shifër tronditëse përfaqëson një trefishim të zhvendosjeve brenda një viti, nga 315 mijë në dhjetor 2023 në më shumë se një milion aktualisht.
Të dhënat e IOM-it zbulojnë se fëmijët përbëjnë gjysmën e totalit të personave të zhvendosur, një realitet që thekson pasojat dramatike të krizës mbi të pafajshmit. Amy Pope, drejtoresha e përgjithshme e organizatës, ka bërë thirrje për ndërhyrje urgjente. “Haiti ka nevojë për ndihmë të qëndrueshme humanitare tani për të shpëtuar dhe mbrojtur jetë,” deklaroi ajo.
Kriza është përqendruar kryesisht në zonën metropolitane të kryeqytetit Port-au-Prince, ku përplasjet mes bandave kanë zhvendosur dhjetëra mijëra familje. Për të gjetur siguri, shumë prej tyre janë detyruar të largohen në provinca, duke rritur presionin mbi burimet tashmë të kufizuara të këtyre komuniteteve.
Numri i vendndodhjeve të përkohshme të strehimit në Port-au-Prince është rritur nga 73 në 108 brenda një viti, një tregues i drejtpërdrejtë i intensitetit të krizës. Këto zona të mbipopulluara vuajnë nga mungesa e theksuar e ushqimit, ujit të pijshëm, kanalizimeve dhe qasjes në arsim, gjë që përkeqëson më tej kushtet e jetesës për të zhvendosurit.
Ndërkohë, departamenti Atribonite ka përjetuar një trefishim të zhvendosjeve, duke prekur mbi 84 mijë persona gjatë vitit 2024. Ky rajon, i njohur për rëndësinë e tij bujqësore, po lufton për të përballuar fluksin e njerëzve që kërkojnë strehim dhe ndihmë bazë.
Drejtuesja e IOM-it ka paralajmëruar se zgjidhja e kësaj krize kërkon një adresim të shkaktarëve themelorë të dhunës dhe paqëndrueshmërisë që kanë gjymtuar vendin për vite me radhë. “Ne duhet të punojmë së bashku për të adresuar shkaqet rrënjësore të dhunës dhe paqëndrueshmërisë që ka çuar në kaq shumë vdekje dhe shkatërrime,” theksoi ajo.
Statistikat janë tronditëse: më shumë se 5.600 persona janë vrarë nga dhuna e bandave vetëm gjatë vitit 2024, ndërkohë që grupet kriminale kontrollojnë mbi 80 për qind të territorit të kryeqytetit. Përveç krizës së sigurisë, vendi me mbi 11 milionë banorë përballet edhe me kërcënimin e urisë, një tjetër plagë që po rëndon mbi popullsinë e pafajshme.
Haiti, i zhytur në një spirale krizash politike dhe ekonomike, ndodhet në një pikë kritike që kërkon veprime ndërkombëtare të koordinuara për të shmangur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.