Në fundin e viteve ’80, kur muri i Berlinit kishte rënë dhe Europa Lindore po lëvizte me shpejtësi drejt zhvillimeve demokratike, udhëheqja komuniste në Shqipëri e kuptoi se vala e ndryshimit nuk mund të ndalej. Regjimi u gjend përballë një tërmeti politik që po i afrohej kufijve të vendit. Dhe atëherë nisi lëvizja e heshtur për të trashëguar pushtetin, për ta kaluar atë nga duart e vjetra në një brez të ri, por të kontrolluar.
Një dokument francez i asaj kohe rrëfen një episod domethënës: elita rreth Ramiz Alisë u kujdes të dërgonte për specializime në Francë një pjesë të intelektualëve të kohës, njerëz që më vonë do të shfaqeshin në skenën politike në momentet e rrëzimit të diktaturës. “Rastësisht”, një pjesë e konsiderueshme e tyre u angazhua drejtpërdrejt në Lëvizjen e Dhjetorit ’90, në protestën e studentëve që shpërtheu si sot, 35 vite më parë, duke u shndërruar në simbol të shembjes së komunizmit.
Historiani Hasan Bello, në intervistën e tij, ndalet te ky dokument dhe te episodet e tjera të panjohura të fundviteve ’80. Ai flet për vendimet e mbyllura, për marrëveshjet e fshehta dhe për arkitekturën e një tranzicioni që, sipas tij, nuk ishte aspak shpërthim i papritur popullor, por një proces i negociuar deri në imtësi. Një tranzicion ku pushteti politik dhe ekonomik i udhëheqjes komuniste u transferua me kujdes në duart e njerëzve të besuar, duke krijuar linjën që do të dominonte “demokracinë” e mëvonshme.
Sipas Bellos, Shqipëria e viteve ’90 nuk ishte thjesht një vend i zgjuar nga gjumi i gjatë i diktaturës, por një terren ku brezat e vjetër dhe të rinj të elitës komuniste shqyrtonin mënyrën më të butë për të mos humbur privilegjet. Dokumente si ai francez, të shpërndarë nëpër arkiva të huaja, hedhin dritë mbi ato mekanizma të padukshëm që vazhdojnë të ndikojnë politikën shqiptare edhe sot.