Detaje të reja rreth shpërthimit pranë shtëpisë së gazetarit Sigfrido Ranucci

Gazetari italian dhe drejtuesi i emisionit investigativ “Report”, Sigfrido Ranucci, u bë objektiv i një atentati me bombë artizanale në afërsi të banesës së tij në Peruxhia, ngjarje që po konsiderohet si paralajmërim i rrezikshëm ndaj medias investigative.

Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, kur një bombë me fuqi të lartë shpërthyese u vendos pranë portës së shtëpisë së gazetarit në rrugën “Viale Po 91”. Sipas hetimeve paraprake, lënda shpërthyese, që përmbante të paktën një kilogram barut, ishte e futur në një enë metalike dhe aktivizuar me një fitil, duke i dhënë autorëve kohë të largoheshin. Fatmirësisht, askush nga familja nuk u lëndua, por dëmet materiale ishin të konsiderueshme.

Sipas dëshmive të banorëve, ky nuk ishte incidenti i parë në zonë. Një banore e lagjes, Nabila, tha për mediat se “shpërthime të ngjashme janë dëgjuar edhe më parë – më 27 shtator, më 4 tetor dhe sërish javën e kaluar”. Ajo dhe banorë të tjerë dyshojnë se autorët kanë testuar qëllimisht reagimin e policisë para atentatit të së enjtes.

Zona ku ndodhi ngjarja, pranë Villaggio Tognazzi dhe plazheve të Castel Porziano, është përshkruar nga mediat italiane si një zonë që në verë mbushet me pushues, por në dimër mbetet e qetë dhe shpesh përballet me problematika si trafiku i drogës dhe praninë e personave me precedentë penalë.

Të shtunën paradite, qytetarët e Campo Ascolano organizuan një sit-in solidariteti me thirrjen “Ne jemi mbrojtja e Sigfrido-s”, për të treguar mbështetje ndaj gazetarit që njihet për hetimet e tij kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Banorët thanë se shpërthimi “tronditi gjithë lagjen”, duke rrëzuar xhama dhe kuadro nga muret e shtëpive.

Dëshmitë e banorëve tregojnë për një klimë pasigurie të shtuar. Një prej tyre, Monia, tha se kishte dëgjuar të shtëna me armë disa net më parë pranë parkut afër rrugës kryesore. Një tjetër dëshmitar përmendi se kishte parë një burrë të veshur me të zeza dhe me kapuç që kalonte në rrugë vetëm sekonda para shpërthimit.

Hetimet e karabinierëve të Frascatit po përqendrohen në këtë pistë, ndërsa është sekuestruar edhe një Fiat 500 X e vjedhur, e cila u gjet pranë vendit të ngjarjes. Autoritetet po analizojnë nëse automjeti ka lidhje me personat që vendosën eksplozivin dhe nëse shpërthimet e mëparshme janë pjesë e të njëjtit plan.

Ngjarja ka ngjallur reagime të forta në opinionin publik italian. Ranucci, i cili prej vitesh drejton një nga emisionet më të ndjekura të investigimit në RAI3, ka marrë dhjetëra mesazhe mbështetjeje nga kolegë dhe organizata të gazetarëve, të cilët kërkojnë hetim të plotë dhe garanci për sigurinë e tij dhe familjes.

Ndaj Postimin: