Detaje të reja mbi vrasjen e Charlie Kirk, konfirmohet lidhja e autorit me një transgjinor

Hetimi për vrasjen e Charlie Kirk zbulon elementë të rinj, autori i dyshuar lidhet me një person transgjinor që po bashkëpunon me policinë

Autoritetet amerikane kanë bërë publike detaje të reja mbi vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk, duke identifikuar si autor të dyshuar 22-vjeçarin Tyler Robinson. Hetuesit theksojnë se Robinson jetonte në të njëjtin apartament me një person transgjinor, i cili ndodhej në proces tranzicioni nga mashkull në femër.

Ky person, i identifikuar nga burimet si Lance Twiggs, ka dorëzuar prova të rëndësishme për hetimin. Ai ka ofruar komunikime të zhvilluara përmes platformës Discord, ku Robinson përmendte vendndodhjen e armës së krimit, një zonë pyjore pranë qytetit.

Sipas FBI-së, marrëdhënia mes Robinson-it dhe Twiggs nuk ishte vetëm shoqërore. Hetuesit dyshojnë se ata kishin lidhje romantike. Megjithatë, Twiggs nuk akuzohet për përfshirje direkte në krim dhe vijon të bashkëpunojë me organet ligjzbatuese.

Identiteti i plotë i Twiggs mbetet i paqartë, pasi emri i tij nuk është përmendur në dokumentet zyrtare. Familjarët nuk kanë konfirmuar publikisht nëse ai është personi transgjinor që përmendet në hetim. Një i afërm e ka përshkruar si “djalin problematik të familjes”.

Ndërkohë, mediat amerikane kanë ngritur hipoteza mbi një motiv të mundshëm politik apo të lidhur me identitetin gjinor të autorit, por autoritetet ende nuk kanë konfirmuar një pistë të saktë. Gjyshi i viktimës ka refuzuar të komentojë mbi marrëdhënien mes dy të rinjve, duke u shprehur: “Nuk jam i sigurt se çfarë po ndodh me të në këtë moment.”

Sipas Daily Mail, Robinson dhe Twiggs ishin pjesë e një grupi të gjerë miqsh që komunikonin në mënyrë të vazhdueshme përmes platformës Discord. Miqtë e tyre të afërt dyshohet se ishin të diplomuar në gjimnazin Pine View, ku u formuan lidhjet sociale që më pas u zgjeruan nëpërmjet rrjeteve online.

Hetimi mbetet i hapur dhe autoritetet po mbledhin çdo provë të re që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave që çuan në këtë vrasje të rëndë.

Ndaj Postimin: